Me titullin që duket se po bëhet gati të ‘udhëtojë’ drejt Korçës, në Kategorinë Superiore kanë mbetur për t’u diskutuar objektiva të tjerë, si pjesëmarrja në Europë, apo rënia në Kategorinë e Parë. Kështu, pas sfidës së kreut, të luajtur dje në Korçë mes Skënderbeut dhe Flamurtarit dhe fituar 1-0 nga vendasit, sot është radha që të luhen edhe 4 takimet e tjera të javës së 19, të cilat janë ndarë në dy orare të ndryshme, 14:00 dhe 17:00.

Në ‘Zeqir Ymeri’ Kukësi do të presë Kamzën, në një sfidë mjaft interesante dhe motivuese për vendasit. Skuadra verilindore do të kërkojë të rikthehet te fitorja në shtëpi, që i mungon prej disa ndeshjesh radhazi, ndërsa javën e kaluar nuk shkoi më shumë se një barazim me Flamurtarin. Gjithashtu, Kamza është vetëm 3 pikë pas Kukësit dhe 2 skuadrat mund të cilësohen edhe si rivale të drejtpërdrejta për një vend në Europë, bashkë me skuadra si Flamurtari, Laçi dhe Partizani. Ky takim është një mundësi e mirë edhe për Peter Pacult, që të marrë fitoren e parë, në sytë e publikut vendas, që e ka mirëpritur aventurën e këtij të fundit në drejtim të Kukësit.

Po në orën 14:00 do të luhet edhe një sfidë direkte në garën për mbijetesë. Lushnja e vendit të fundit, do të presë Vllazninë e parafundit, me synimin që të marrë 3 pikët dhe të mbajë gjallë shpresat e qëndrimit, të ndezura nga 2 barazimet e fundit. Nga ana tjetër, shkodranët e kanë nisur 2018-ën me dy humbje dhe atmosfera te kuqeblutë nuk është aspak optimiste. Trajneri Gjoka ka kërkuar angazhim maksimal, teksa I ka theksuar të tijve, se fitorja është alternative e vetme e kësaj transferte. Në rast të marrjes së 3 pikëve, te Vllaznia do të rikthehej qetësia, në prag të një tjetër ndeshjeje deçizive për mbijetesë, asaj ndaj Teutës në javën e ardhshme në ‘Loro Boriçi’.

Në orën 17:00 Partizani do të presë Laçin e Mezanit, në një takim që mund të quhet gjithashtu një sfidë për Europën. Dy takimet e para kanë përfunduar me fitoren e laçjanëve, por Partizani do të tentojë triumfin, për t’i dhënë vazhdimësi rezultatit të arritur javën e kaluar me Kamzën. Nga ana tjetër, skuadra e Mezanit duket se e ka theksin te Kupa, por ‘të kuqve’ ua ka marrë dorën dhe do të tentojë t’i befasojë sërish në ‘Selman Stërmasi’.

NJë sfidë mjaft interesante do të luhet edhe në Durrës, ku Teuta vendase do të presë Luftëtarin e durrsakut Hasan Lika. Skuadra e Nicës ka regjistruar 2 barazime në këtë vit të ri dhe tani e presin 2 sfida mjaft të rëndësishme, në rrugën drejt qëndrimit në Kategorinë Superiore. Nga ana tjetër, gjirokastritët synojnë fitoren për t’u shkëputur njëherë e mirë nga zona e rrezikut, por edhe për t’u futur në valle për një vend në kupat europiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here