Mesjava në futbollin shqiptar është e dedikuar për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. E mërkura do të ofrojë 4 sfida tejet interesante, duele të zjarrta midis kundërshtarësh që Kupën e shohin si një mundësi të mirë për të arritur Europën. Në garë janë 8 ekipe, të cilat e kanë fituar më parë këtë trofe, me përjashtim të Skënderbeut, që pavarësisht dominimit që i ka bërë futbollit tonë në vitet e fundit nuk ka mundur t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni.

Në orën 14:00, në “Niko Dovana” Teuta pret kryesuesit e kampionatit dhe, pavarësisht diferencave në klasifikim, synimi mbetet i njëjtë për të dyja skuadrat, kualifikimi në gjysmëfinale. “Djemtë e Detit” që në startin e edicionit kanë synuar pikërisht këtë trofe, ndërkohë që me të njëjtin objektiv janë edhe korçarët.
Disa kilometra larg Durrësit, në Laç, po në orën 14:00, vendasit presin Luftëtarin. Kurbinasit janë cilësuar si ekspertët e këtij kompeticioni, ndërkohë që përballë kanë skuadrën më të fortë të momentit. Falë afrime të bëra në merkaton e janarit dhe talenteve që kanë në organikë, gjirokastritët shohin te Kupa mundësinë për të shkuar në Europë.

Në orën 17:00, në Vlorë, do të përsëritet fundjava e Superiores, me Flamurtarin që ka përballë Partizanin. Polemikat e ndeshjes së fundit janë hedhur pas krahëve dhe koha duket ilaçi më i mirë, aq më tepër që në Kupë specifika e dueleve është e ndryshme. Të dyja skuadrat synojnë të fitojnë një trofe këtë edicion, me kuqezinjtë që të paktën deri në këtë moment të sezonit janë më bindës se kundërshtari.
Ndërmjet 7 skuadrave të elitës ndodhet dhe një që vjen nga kategoria inferiore, por që në fakt ka një emër të madh në futbollin shqiptar. Tirana shkon në duelin me Kukësin me synimin për t’u kualifikuar dhe për të mbrojtur trofeun e fituar majin e kaluar. Përballë është një kundërshtar të cilin e mposhti në finalen e Superkupës, por nga shtatori deri më sot kanë ndryshuar shumë gjëra te të dy ekipet. Sido që të shkojë mesjava, pritet të jetë spektakolare, me 8 skuadra që synojnë të ngrenë trofeun e kupës në fundin e këtij edicioni.

E mërkurë

Teuta – Skënderbeu (ora 14:00)

Laçi – Luftëtari (ora 14:00)

Flamurtari – Partizani (ora 17:00)

Tirana – Kukësi (ora 17:00)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here