Atletico Madrid – Valencia përbën padyshim një ndër ndeshjet më interesante të ditës së diel dhe jo më kot drejtuesit e Primera Division kanë rezervuar mbrëmjen për një duel të tillë, që pritet të vendosë shumë për sa i përket rivalitetit që ofron kampionati spanjoll në Zonën Champions.

Kohët kalojnë shpejt dhe nga një skuadër që po rivalizonte javë pas jave, duke ndjekur këmba-këmbës Barcelonën në krye, tani ambiciet e Valencias në ligë janë reduktuar ndjeshëm. Shumë influencuan dëmtimet e njëpasnjëshme të lojtarëve të rëndësishëm, por mbi të gjitha drejtuesit u gjendën vërtet të papërgatitur për një ecuri të tillë, që i shikon futbollistët e Marselinjos të lodhur dhe të sfilitur për shkak të kalendarit të ngjeshur.

Takimi do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin ‘Wanda Metropolitano’, ku “Los colchoneros” kanë një rast të shkëlqyer për të përfituar nga mbingarkesa e Valencias. Miqtë do të zbresin në fushë vetëm 3 ditë pas humbjes minimale me Barçën në ‘Camp Nou’, prandaj është e kuptueshme që 52-vjeçari asturian të bëjë shumë ndryshime në formacion.

Për takimin e kthimit, të enjten në ‘Mestalla’, Marselinjos i nevojiten lojtarë të freskët, për të tentuar një përmbysje të madhe, që do t’i hapte rrugë klubit për të fituar Kupën e Mbretit, pas plot një dekade, ndërkaq në krahun tjetër, me përjashtim të mbrojtësit Filipe Luis, trajneri argjentinas Diego Simeone i ka që të gjithë futbollistët në dispozicion, për më tepër “bardhekuqtë” kanë fituar plot 7 nga 11 përballjet e fundit ndërmjet tyre.

Më herët dicka pritet të lëshojë ndoshta edhe Barcelona vetë, që javën e kaluar ndaj Deportivo Alaves pati nevojë për dy gola të vonë, për të përmbysur disavantazhin. Skuadra e Ernesto Valverdes komandon kampionatin me plot 11 pikë avantazh kundrejt Atletikos, megjithatë ekipi blaugrana nuk ka ndërmend aspak për të nënvlerësuar një kundërshtar si Espanjoli, që në mesin e muajit të kaluar e mundi Barçën në kupë.

Në Copa del Rey, Barcelona u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 2-1, pra përveçse një derbi, kjo ndeshje përfaqëson edhe përballjen e 3-të ndërmjet tyre, në 18 ditët e fundit, për më tepër skuadra blaugrana nuk mundet në ligë prej 10 muajsh dhe synimi i Barçës dihet, është që të fitojë kampionatin spanjoll pa asnjë humbje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here