Të mërkurën në mbrëmje do të kompletohet faza çerekfinale e edicionit të 75 të Kupës së Gjermanisë, teksa do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit Shalke – Volfsburg dhe Ajntraht – Mainc. Bëhet fjalë për dy takime që shikojnë për protagonistë ekipe të Bundesligës, sidoqoftë vëmendjen e tërheq vetvetiu pikërisht dueli Schalke 04 – Volfsburg, ndeshje që do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin Veltins-Arena. Në Gelsenkirchen pra skuadra e Domenico Tedesco-s do të ketë natyrisht favorin e madh të faktorit fushë, sidoqoftë përsëri mbetet një duel kupe. DFB Pokal është një kompeticion që ofron shumë të papritura, gjithsesi në cerekfinalen e fundit përballen dy klube që e kanë provuar shijen e lavdiës në këtë aktivitet, pasi Shalke me 5 trofetë e fituar konsiderohet si forca e tretë e Kupës së Gjermanisë, ndërsa “ujqërit” në krahun tjetër ia kanë dalë mbanë për të triumfuar në kupë, në vitin 2015, vit që përbën edhe rastin e vetëm kur klubi i Volfsburg-ut ka shkuar deri në finalen e madhe.

Të dy ekipet kanë patur një ecuri të lehtë, pasi Schalke për të mbërritur deri këtu është ndeshur vetëm me një skuadër të fortë, Këlnin, ndërsa ekipi i Martin Schmidt përballjen më të vështirë në letër e ka patur pikërisht në derbin e Saksonisë së Poshtme me Hanoverin.

Vendasit paraqiten në këtë duel pas disfatës në shtëpi me Verderin, ku Schalke ishte në avantazh por pësoi dy gola në 11′ e fundit të takimit, rezultat që i zbriti “blutë” në vendin e pestë në Bundesligë, gjithsesi me vetëm 1 pikë më pak se Leverkuzeni i vendit të dytë, ndërsa Volfsburgu në anën tjetër pozicionohet në vendin e gjashtë nga fundi në kampionatin gjerman, me vetëm katër pikë më tepër se sa zona e ftohtë. Miqtë kanë fituar vetëm 2 nga 10 takimet e fundit në të gjithë kompeticionet, ndërkaq Schalke që për herë të fundit e ka ngritur trofuen e dytë më të rëndësishëm në Gjermani përpara shtatë vjetësh është mundur vetëm një herë në tetë përballjet e fundit ndërmjet tyre.

Cifti i fundit është Eintracht – Mainz, takim që do të luhet që në orën 18:30, në Stadiumin Commerzbank – Arena të Frankfurtit. Nëse Mainci është ndeshur më herët me një kundërshtar si Shtutgarti, Ajntrahti në krahun tjetër për herë të parë në këtë edicion të kupës do të masë forcat me një ekip nga Bundesliga e Parë. Duke patur mendjen te kupa ekipi i drejtuar nga Niko Kovac lëshoi në kampionat, teksa u mund 3-0 në Bavari nga Augsburgu, në një kohë kur qoftë edhe një fitore minimale do ta ngjiste Ajntrahtin drejt e në vendin e dytë në Bundesligë, ndërsa Mainci po rrezikon vërtet shumë rrëshitjen një kategori më poshtë, teksa pozicionohet për momentin në zonën e play out-it, pra vendin e 16. Në fazën e parë në fushën e Maincit dy skuadrat barazuan 1-1, gjithsesi këtë herë Ajntrahti që e ka fituar Kupën e Gjermanisë plot 4 herë ka një rast të shkëlqyer për të kaluar mes katër skuadrave më të mira të këtij aktiviteti, për më tepër në 10 përballjet e fundit ndërmjet tyre është respektuar pothuajse përherë faktori fushë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here