Messit nuk mund t’i bësh asnjë lëshim, sidomos kur bëhet fjalë për garën për Këpucën e Artë, çmimin që nderon golashënuesin më të mirë në Europë. Ylli i Barcelonës shfrytëzoi më së miri mungesën për shkak dëmtimi të Mohamed Salah, në derbin mes Evertonit dhe Liverpulit, për ta kapur në krye të klasifikimit special për Këpucën e Artë.

Tregolëshi që shënoi ndaj Leganes, përveçse e distancojnë akoma më shumë Messin në luftën për titullin e kryegolashënuesit në La Liga, në kuotën e 29 finalizimeve, 6 më shumë se Ronaldo, i mundësojnë argjentinasit që të arrijë Salah në krahasimin europian, duke e barazuar në kuotën e 58 pikëve, duke qenë se të dyja kampionatet, ai spanjoll dhe Premier League kanë të njëjtin koeficient vlerësimi.

Ishte një fundjavë e gjitha në favor të Leo Messit, pasi edhe pse Immobile shënoi për Lazion në fitoren ndaj Udineses, duke u pozicionuar me 27 gola dhe 54 pikë, as Lewandowski që ndodhet në vendin e tretë me 26 gola dhe 52 pikë, dhe të cilin Heynckes e la pushim në kampionat, duke menduar për Championsin, por as të tjerët që ndjekin renditjen, Jonas i Benfikës, Harry Kane i Totenham, Edinson Cavani te PSG, apo Ikardi te Interi nuk gjetën rrjetën.

Luis Suarez nuk mori pjesë në goleadën e Barçës dhe vazhdon të mbetet në kuotën e 22 golave dhe 44 pikëve, ndërsa Ronaldo shënoi në derbin e Madridit me Atletikon, por me 23 gola dhe 46 pikë është gjithsesi pas Messit dhe Salah.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here