Talenti francez i Interit, Yann Karamoh ka dhënë një intervistë për mediat e vendit të tij, ku ka folur për eksperiencën e tij si zikaltër. Sulmuesi anësor ka treguar se nuk është menduar dy herë për t’iu përgjigjur pozitivisht Interit, ndërsa thotë se zikaltrit besojnë shumë te ai.

“Me Interin ndodhi gjithçka shumë shpejt, pasi isha akoma me pushime. Kur mësova për ofertën zyrtare, nuk u mendova dy herë dhe madje u përplasa edhe me drejtuesit e Caen për t’i bërë të pranonin ofertën e zikaltërve. Klubi ka shumë besim te unë dhe në janar nuk donin të dëgjonin asnjë ofertë tjetër, pasi duan të rritem në ambientin e tyre” tha Karamoh.

Më tej talenti tregoi se ka një marrëdhënie shumë të mirë me Spallettin dhe shokët e skuadrës, teksa pranoi se pret që të ketë më shumë minuta në dispozicion. Sa i përket rolit të preferuar, Karamoh tregoi se mund të luajë në disa pozicione të sulmit, pa ulur rendimentin e tij.

“Spalletti nuk ka nevojë për prezantim, pasi të gjithë ia dinë aftësitë. Te Interi luajnë shumë lojtarë të mëdhenj, që po më ndihmojnë vazhdimisht të rritem dhe përmirësohem. Sa i përket minutave, klubi është treguar i sinqertë që në fillim me mua dhe tani pres shansin tim. Rëndësi ka që të gjithë tashmë besojnë më shumë te unë dhe loja ime, ndaj mund të aktivizohem në çdo moment. Nuk kam një rol të preferuar, pasi mund të luaj në të gjithë pozicionet e sulmit, por edhe pas sulmuesit kryesor. Janë role që i kam bërë në skuadra të ndryshme, ose në kombëtare dhe jam përshtatur mjaft mirë”, deklaroi futbollisti i Interit.

Momenti më i bukur i Karamoh me fanellën zikaltër ka qenë padiskutim ndeshja me Bolognën, ku shënoi një gol spektakolar nga distanca, për t’i dhënë Interit fitoren 2-1.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here