Kamza rezultoi të ishte një nga surprizat më të këndshme të 16 javëve të para në Kategorinë Superiore. Nëse skuadra e drejtuar nga Ramadan Ndreu nuk do të kishte gabuar në 3 javët e fundit, sot do të flisnim për një mrekulli.

Ekipi nga periferia e kryeqytetit ka grumbulluar 23 pikë deri më tani dhe të mendosh që në 3 javët e fundit ka regjistruar vetëm humbje, starti mund të konsiderohet shpërthyes. Çelësi i suksesit është konsideruar pa diskutim ndërtimi i një skuadre me elementë që e njohin mjaft mirë kampionatin shqiptar, me shumë eksperiencë dhe të aftë të vendosin fatet e një takimi në një moment të vetëm. Por, sigurisht, që kjo është edhe meritë e drejtuesve, të cilët kanë ndërtuar ekipin shumë herët, duke i dhënë mundësi trajnerit Ndreu të punojë me grupin për të përcjellë idetë e tij tek lojtarët, që gjithashtu patën kohën e mjaftueshme të njohin njëri-tjetrin.

Në këtë periudhë merkatoje nga Kamza ka patur largime, 3 prej të cilëve kanë qenë titullarë për pjesën më të madhe të sezonit. Portieri Halilaj si dhe mbrojtësi Neziraj nuk kanë bindur, ndërkohë që humbja më e madhe në aspektin sportiv konsiderohet largimi i qendërmbrojtësit kroat, Ivan Fustar. Nën urdhrat e trajnerit janë afruar disa futbollistë, ku më të spikaturit janë ish-portieri i Tiranës, Ilir Avdyli, si dhe mbrojtësi i majtë Vangjel Zguro. Në këto kushte, Kamza ka kryer fazën përgatitore duke llogaritur këtë grup futbollistësh deri në fundin e edicionit, ndërkohë që alternativa e Fustar pritet të jetë braziliani Leo Lelis. Kjo mënyrë e të vepruarit në merkato rezultoi pozitive në verë. Te Kamza shpresojnë të ndodhë e njëjta gjë edhe në pjesën e mbetur të kampionatit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here