Vllaznia pritet që në fund të muajit prill të privatizohet, zor se do të ndodhë plotësisht, por administrimin e klubit do ta marrë një biznesmen. Valter Fushaj është favorit dhe këtë e di i madh e i vogël në Shkodër dhe jo vetëm.Ish-presidenti e ka nisur madje punën dhe është marrë edhe me merkaton.
Por një deklaratë së fundmi e nënkryetares së Bashkisë Shkodër, Emilia Koliqi, ka bërë ndokënd të dyshojë apo të mendojë se do të ketë një garë për të marrë drejtimin e kuqebluve. “Operatorët ekonomikë deri më tani janë dy. Jemi në fazën e vlerësimit të ofertave dhe nuk mund të bëhen publikë emrat”, kjo është një pjesë e asaj që tha nënkryetarja e bashkisë në “TV Rozafa” dhe që bëri të marrë shumë komente. Në fakt do të ishte lajm i mirë që të ketë interesim të gjerë për të investuar te Vllaznia, gjë që në realitet nuk ndodh.
Koliqi nuk e ka pasur fjalën për biznese të interesuara për të investuar, por për operatorë ekonomikë që do bëjnë vlerësimin e aseteve të Vllaznisë. Ky është hapi i parë për privatizimin dhe deri në fund të muajit prill duhet shpresuar se do të ndodhë, për t’i hapur rrugë një procesi shumë të rëndësishëm në klubin shkodran.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here