Kriza te Interi nuk ka fund, teksa këtë herë zikaltrit janë ndalur në barazim 1-1 nga Crotone në shtëpi. 90 minuta lojë për t’u harruar, me skuadrën e Spallettit, që u zgjua vetëm pasi pësoi golin e barazimit, bënë që edhe tekniku zikaltër të përjetonte vërshëllimat e publikut të ‘San Siros’.

Pa Icardin e dëmtuar, Spalletti hodhi në fushë nga fillimi Ederin, por la në stol më të mirin e javëve të fundit, Joao Cancelon dhe blerjen e re, Rafinha. 45 minutat e para, zikaltrit vuajtën, por arritën të gjejnë avantazhin me Eder, pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi.

Në fillim të pjesës së dytë, Crotone u hodh në sulm dhe gjeti edhe golin e barazimit, e ndihmuar pak edhe nga fati. Spalletti vendos t’i bindet tifozërisë, duke hedhur në fushë Rafinhën, Cancelon dhe Karamoh, të cilët rritën ritmin e lojës dhe arritën të rrezikojnë disa herë portën e miqve, por pa gjetur golin.

Në fund, tifozëria zikaltër vërshëlleu gjatë dyshen kroate Perisiç-Brozoviç, por edhe trajnerin Spalletti, për zgjedhjet e tij. Me këtë humbje zikaltrit komplikojnë seriozisht objektivin, që është pjesëmarrja në Champions.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here