Përcaktohet edhe gjysmëfinalja e dytë e BNP Paribas Open, masterit të parë të vitit në tenis që po zhvillohet aktualisht mbi çimenton e Indian Wells në Kaliforni dhe që pagëzohet ndryshe me emrin si Slami i 5-të sezonal për vetë rëndësinë dhe të ardhurat e mëdha që ka ky turne. Argjentinasi Juan Martin Del Potro ishte tenisti i fundit që siguroi një biletë në gjysmëfinale aty ku do të sfidojë, malazezin e natyralizuar kanadez Milos Raonic. Del Potro i cili në fillim të turneut ishte favoriti numër 6 për të triumfuar në Indian Wells mposhti me përmbysje në 2 orë e 8 minuta lojë gjermanin Philip Kohlschreiber në çerekfinalen e fundit me rezultatin 3-6 6-3 6-4 dhe tashmë do të masë forcat për një vend në finalen e madhe me Raonic që nga ana e tij eliminoi gjithashtu në 3 sete idhullin e tifozerisë vendase amerikanin Sam Querrey me shifrat 7-5 2-6 6-3. Del Potro finalist në Indian Wells në 2013-ën dhe gjysmëfinalist në 2011-ën është në disavantazh 2-1 në përballjet direkte me Milos Raonic, me përballjen e fundit mes tyre që është zhvilluar vitin e kaluar në turneun Delray Beach ku fitimtar ka dalë kanadezi. Mbrëmje surprizash ndërkohë në tenisin femëror aty ku në mënyrë të çuditshme u eliminuan të dyja favorite për të fituar turneun rumunia Simona Halep dhe veterania amerikane Venus Williams. Finalja e madhe e mastersit 1000 pikësh të Indian Wells do të diskutohet mes japonezes Naomi Osaka dhe ruses së talentuar Daria Kasatkina e cila premton shumë për të ardhmen. Numri 1 i Botës në renditjen e WTA, Simona Halep u eliminua lehtësisht në dy sete nga japonezja Osaka e cila edhe pse mban vendin e 44-të në Botë, humbi vetëm 3 game në total ndaj Halep. Në gjysmëfinalen tjetër që ishte edhe ajo më e rivalizuara, zhgënjeu pritshmëritë e fansave vendas, Venus Williams që u mposht në 3 sete nga 20-vjeçaria Kasatkina me shifrat 6-4 4-6 5-7 në një ndeshje që zgjati rreth 3 orë.  Për Daria Kasatkinën që ka eliminuar me rradhë emra me peshë si Sloane Stephens, Caroline Wozniacki e Angelique Kerber kjo e Indian Wells është finalja më e rëndësishme deri tani në karrierë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here