Nuk ka fitues në derbin e Madonninës, teksa fati është me Milanin dhe kundër Icardit, që pa t’i anulohej një gol në pozicion jashtë loje dhe të shpërdoronte dy mundësi të arta.

Pjesa e parë fillon me mjaft vrull dhe sheh Interin më kërkues, por rasti i parë i rrezikshëm është i Milanit. Kuqezinjtë ekzekutojnë një faull nga krahu i djathtë dhe Bonucci godet me kokë, por Handanoviç grushton mrekullisht një top që po i drejtohej rrjetës.

Skuadra e Spallettit shton presingun dhe rikuperon një top në gjysmëfushën e Milanit, duke nisur menjëherë Icardin, që mposht Donnarummën dhe e dërgon topin në rrjetë, por festa ndalon një minutë më pas, sepse VAR konstaton një pozicion jashtë loje milimetrik, duke bërë që pjesa e parë të përfundojë në barazim pa gola.

Edhe pjesa e dytë ka të njëjtin intensitet, me të dy skuadrat që nuk lëshojnë, ndërsa Icardi ka mundësinë më të mirë për të shënuar, por me portën e boshatisur bën të pamendueshmen, duke gjuajtur jashtë. Në një tjetër aksion të Perisiç nga krahu, është Donnarumma që ndërhyn, duke i hequr mundësinë e golit, kapitenit të Interit.

Në minutën e dytë shtesë, Icardi pati një tjetër mundësi me portën e boshatisur, por goditja e tij përfundoi në mënyrë shumë të çuditshme jashtë portës së Donnarummës.

Në takimet e tjera, Andrea Belotti ishte i papërmbajtshëm në sfidën me Crotonen duke shënuar 3 herë në fitoren 4-1. Chievo dhe Sassuolo u ndanë në barazim 1-1, në një takim me rrjedhë të çuditshme.

Sassuolo luajti me 10 futbollistë që nga minuta e 26 dhe në të 84-ën, disavantazhit të një goli i shtohet një tjetër karton i kuq. Gjithsesi, ndonëse me 9 futbollistë, miqtë arrijnë të barazojnë pak minuta nga fundi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here