Barazimi në Roza Haxhiu ndaj Lushnjës së vendit të fundit nuk e zbeh aspak forcën dhe ecurinë e Luftëtarit këtë edicion, me bluzinjtë që vijojnë të jenë një skuadër e frikshme pavarësisht ndalesës së fundit. Gjirokastritët të cilët e nisën me oshilacione sezonin kanë gjetur balancat e duhura dhe kjo për shkak të kurës Hasan Lika. Është pikërisht kështu, pasi që nga ardhja e trajnerit kryeqytetas ecuria e surprizës së edicionit të kaluar ka patur një rritje të jashtëzakonshme, duke u larguar për momentin nga zona e rënies. Pas 18 javëve të para bluzinjtë gjenden në vendin e 7 me 23 pikë, 6 pikë larg Kukësit të vendit të 3 dhe 8 larg Vllaznisë së vendit të 9 që gjendet në zonën e rënies. Parë në këndvështrimin e pikëve skuadra e Hasan Likës gjendet më pranë zonës së Europës, dhe kjo për meritë të trajnerit i cili e mori drejtimin e skuadrës në javën e 7, me 5 pikë dukë rrezikuar seriozisht qëndrimin në elitë. Debutimi erdhi në sfidën shtëpiake ndaj Kukësit ku rezultati 0-3 nuk e përligj lojën e zhvilluar. Nga ajo humbje në debutimin e trajnerit të ri Luftëtari fitoi 18 pikë në 12 javë për një mesatare 1.5 për ndeshje, madje duke përmirësuar edhe golavarazhin me 17 gola të shënuar dhe 13 të pësuar. Në 6 javët e para bluzinjtë kishin shënuar vetëm 3 gola dhe pësuar 6, duke u treguar një skuadër e brishtë pavarësisht talenteve të mëdha që posedojnë në repartin e avancuar. Pikërisht nga ata e nisi punën trajneri Lika, duke rifituar treshen Abazaj-Bregu-Rroca, të cilët janë kthyer në një kërcënim për çdo rival. Fitorja 5-0 ndaj Partizanit dhe suksesi 1-2 në transfertën e Zeqir Ymerit ndaj Kukësit janë sukseset më të forta të këtij edicioni, që kulmuan me triumfin ndaj Skënderbeut në shtëpi. Për trajnerin nga kryeqyteti kura e parë ka funksionuar tek Luftëtari, tashmë duhet të zbresë me këmbë në tokë futbollsitët në mënyrë që paraqitja dhe rezultati në Lushnje të mos përsëritet në ndeshjet e ardshme me skuadrat që garojnë për mbijetesë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here