Kur bëhet fjalë për kampionatin muzika ndryshon. Skënderbeu hakmerret në mënyrën më të bukur të mundshme ndaj Flamurtarit për atë humbje që pësoi pak ditë më parë në Korçë në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj vlonjatëve. Gjithçka shumë e thjeshtë për skuadrën e Dajës që fitoi me rezultatin e thellë 0-3 brenda në Vlorë në supersfidën që mbylli javën e 28-të të Kategorisë Superiore. 2 humbjet radhazi ndaj Vllaznisë në kampionat dhe Flamurtarit në Kupë, janë një kujtim i largët tashmë për korçarët të cilët e çuan sërish në +12 pikë avantazhin ndaj Kukësit ndjekës në renditje duke vendosur praktikisht njërën dorë tek titulli.

Sfida në Vlorë u zhbllokua pas vetëm 30 sekondash falë treshes Vangjeli-James-Sowe, me sulmuesin nga Gambia që e pati thjeshtë një lojë fëmijësh dërrgimin e topit në rrjetë. Nuk vonoi shumë dhe Skënderbeu gjeti edhe golin e dytë këtë herë me mesfushorin Bruno Dita që realizoi një gol të bukur për meritë edhe të dyshes Muzaka-Sowe. Reagimi i Flamurtarit ishte i vakët me vlonjatët që nuk kishin forcën e mjaftueshme për të rrezikuar portën e Skënderbeut. Fitoren e skuadrës së Dajës e vulosi Gavazaj në fillimin e pjesës së dytë me këtë të fundit që vllazoi mes mbrojtësve të Flamurtarit duke realizuar një supergol.

Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më me Skënderbeun që vazhdon marshimin drejt titullit, ndërkohë vlonjatët në krahun tjetër e shikojnë veten në një krizë të thellë në kampionat, teksa numërojnë vetëm 2 pikë në 8 ndeshjet e fundit, me ekipin e Duros që nëse vazhdon me këto ritme papritur mund të përfshihet në zonën e rrezikut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here