Kukësi i jep një leksion futbolli Partizanit dhe mbyll llogaritë me vendin e dytë duke e blinduar përfundimisht këtë pozicion që në rast të lënies në fuqi të vendimit të UEFA-s, për dënimin e Skënderbeut edhe nga KAS, do t’i kualifikonte në pareliminatoret e Champions League, verilindorët. Pas 4 fitoreve dhe 1 barazimi në 5 ndeshjet e para si trajner i parë i Partizanit, Klevis Dalipi pësoi disfatën e parë dhe çfarë disfate. Kukësi dominoi nga fillimi në fund sfidën ndaj të kuqëve duke triumfuar me rezultatin e thellë 4-0 për meritë edhe të Sindrit Gurit. Sulmuesi shkodran ishte thjeshtë fenomenal në këtë sfidë teksa me një tregolësh, udhëhoqi Kukësin drejt një fitoreje të madhe. 3 gola njëri më i bukur se tjetri sidomos i 4-ti drejtpërdrejt nga një goditje standarte bënë që Guri të ngjitet në krye të listës së golashënuesve me 15 finalizime në këtë sezon. Golin tjetër atë të 2-0 e realizoi mesfushori gjeorgjian Irakli Dzaria. Një fitore e merituar dhe më e thella në përballjet direkte për Kukësin ndaj Partizanit. Tashmë vendi i dytë për skuadrën e trajnerit austriak Peter Pacult është pothuajse i sigurtë, pasi diferenca me të kuqtë është 9 pikë, ndërkohë që Sindrit Guri falë këtij tregolëshi mori edhe topin e ndeshjes në shtëpi.

Një fitore të rëndësishme mori edhe Luftëtari që falë golave të Bregut pas një aksioni model dhe të Shkurtajt me penallti, mposhti 2-1 Laçin në Gjirokastër, me bluzinjtë që parakaluan pikërisht kurbinasit në renditje duke u ngjitur në vendin e 4-ët. Mund të buzëqeshë më në fund edhe Flamurtari që me finalizimet e Nedjelkovic dhe Useinit, mposhti 2-0 Lushnjën në Roza Haxhiu duke u rikthyer te fitorja pas 8 javësh.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here