Vllaznia mposhti Flamurtarin 3-0, por mbi të gjitha bindi edhe me paraqitjen e saj në fushë, duke lënë tërësisht të kënaqur trajnerin Ernest Gjoka.

Një fitore e madhe, jo vetëm për rezultatin, por edhe mënyrën e lojës. Cili ishte çelësi i këtij suksesi?
Gjoka: Sot ka qenë një ndeshje shumë e mirë, gjë që unë e lidh me fillimin e fazës së 3-të, kur ne e kemi përmirësuar performancën, pavarësisht humbjes së pafat ndaj Laçit. Sot i dhamë përparësi edhe ekuilibrit taktik, pasi Flamurtari ka 3 sulmues të shpejtë dhe po të gjeti zbuluar, të ndëshkon.

Javën e ardhshme do të udhëtoni në Kamëz. A do të shohim të njëjtën Vllazni, apo do të bëni llogari të tjera?
Gjoka: Ne nuk kemi alternativë tjetër, përveçse të zbresim në fushë për fitore. Kemi biseduar me çunat dhe jemi të bindur që duhet të japim maksimumin në çdo takim dhe të marrim sa më shumë pikë, për t’iu larguar fundit.

A ndikuan mungesat te Flamurtari?
Gjoka: 
Nuk di të them këtë, pasi çdo ekip ka probleme në vijimësi me mungesa e dëmtime. Edhe ne na mungonte lideri i mbrojtjes, Malota, por ndoshta nuk e ndjemë shumë.

Vllaznia tregoi shumë sot. Si e prisni paraqitjen e ekipit në të ardhmen?
Gjoka: Sigurisht që skuadra ka kapacitet për të bërë shumë më tepër, por është edhe ngërçi psikologjik, që na pengon disi. Edhe dje, pas barazimit të Teutës, kemi bërë shumë punë në aspektin psikologjik, pasi ende na pengon presioni i rënies, për të shprehur më të mirën.

A është Vucaj, personi që merr përsipër lojën e Vllaznisë?
Gjoka: 
Erjoni është përmirësuar shumë dhe na ndihmon të organizohemi mirë. Ai ka kapacitete ta bëjë mirë atë detyrë në fushë, pasi përdor mirë topin dhe është i kudondodhur, Sot u munduam të bllokojmë edhe topin e parë drejt sulmuesit Bushiç, që ishte pika e referimit të sulmit vlonjat.

Lidhur me ngjarjen e pak ditëve më parë, a mund të themi se ka kaluar tashmë presioni?
Gjoka: Unë dua ta kaloj këtë situatë dhe të shikoj para. Tensioni dhe presioni janë relativë, ndaj ne duhet të shikojmë para dhe të punojmë për të arritur objektivin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here