Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka feston këtë të enjte 48-vjetorin e tij të lindjes. Në prag të takimit ndaj Kukësit, ish-skuadrës të drejtuar prej tij sezonin e kaluar ku arriti të fitonte titullin kampion, një fitore do të ishte dhurata më e bukur për të. Për Gjokën tre pikët nuk janë dhuratë për të, por synimi kryesor për kuqeblutë.

“Mendoj se ne duhet të vazhdojmë rrugën e fitoreve dhe të shohim përpara. Kjo është ajo që duhet të kërkojmë, pavarësisht se kemi kampionët përballë. Sigurisht në lojë janë të tria rezultatet, ne tashmë nuk duhet të shohim asnjë rezultat në fushën tonë veç fitore. Sigurisht mund të jetë edhe barazimi brenda, por është shumë e rëndësishme që ne të kërkojmë dhe të japim gjithçka për të marrë gjithçka. Kjo është ajo që ne kemi ndërtuar dhe po e flasim edhe me futbollistët”.

I vetëdijshëm për forcën dhe vështirsitë që do të ketë takimi përballë verilindorëve, Gjoka ka besim tek skuadra e tij, kjo edhe për faktin se afrimet e kryera gjatë merkatos dimërore e bëjnë Vllazninë një skuadër më të fortë në këtë pjesë të mbetur të kampionatit.

“Unë Kukësin e njoh mirë, pasi kam bërë një vit të jashtëzakonshëm me ta.E njoh mirë elementin që është brenda, njoh mirë filozofinë e atyre lojtarëve, pasi kemi punuar dhe kemi dalë kampion. Kukësi është një ekip që duhet vlerësuar, që pavarësisht se si e njoh unë, sot janë ndryshe. Tani kanë një trajner tjetër, kanë një mentalitet tjetër”.

Në fund ftesa shkon për lojtarin e 12-të,tifozët, sepse për teknikun e kuqebluve, skuadra është në një moment ku ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve.

“Shpresoj të na ndihmojnë, jemi në momentin që kemi nevojë për të gjithë, për ju, tifozët, për një fjalë të mirë, pasi jemi në momente të vështira. Sigurisht që tifozët e Vllaznisë janë të ndjeshëm dhe kanë shumë të drejtë, pasi nuk u kemi dhënë atë që u takon. Por mendojmë që do bëjmë gjithçka. Në këto momente kemi nevojë për ta, janë oksigjen për ne. Uroj të jenë në stadium me ne dhe t’i kënaqim e më pas të vazhdojnë traditën e mbushjes së stadiumet, sepse ai stadium dhe ajo skuadër ka nevojë për tifozët”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here