Trajneri i Vllaznisë, Ernes Gjoka u shpreh mjaft I zhgënjyer jo vetëm për humbjen në Durrës, por mbi të gjitha për mënyrën e lojës së skuadrës së tij.

Një humbje që ‘djeg’ përballë një kundërshtari direkt…
Gjoka: Ishte një ndeshje që për hir të së vërtetës nuk e luajtëm mirë. Teuta ka qenë e vështirë, por edhe për ne mesa duket ishte dita më e keqe. Aktivizuam të 4 sulmuesit që kishim në dispozicion, pasi rezultati I pjesës së parë ishte zhgënjyes dhe nuk kishim ç’të prisnim më.

Çfarë ndikoi te kjo paraqitje e Vllaznisë?
Gjoka: Deri në momentin e golit të parë po e menaxhonim mirë ndeshjen dhe patëm rastet tona. Në momentin e golit pësuam një humbje të përqendrimit, kjo edhe për shkak të situatës së vështirë ku ndodhemi, ndërsa goli I dytë na dha goditjen fatale. Gjithsesi duhet të shohim para dhe të rimarrim veten, ndonëse do të jetë shumë e vështirë.

Ndeshja e dytë radhazi që Sukaj dhe Ribaj luajnë bashkë në sulm, por sot nuk u furnizuan me topa nga krahët…
Gjoka: Ke të drejtë, pasi nuk i furnizuam sa duhet me krosime, gjithsesi të dy ata patën mundësi për të shënuar, por nuk ia dolën. Gjithsesi e thashë që planet toan u rrëzuan në momentin e pësimit të golit, që na goditi psikologjikisht.

A ndjehet më shumë presioni, pasi shumica e lojtarëve janë shkodranë?
Gjoka: Normalisht që këta djem përveçse futbollistë, e kanë edhe skuadrën e zemrës Vllazninë dhe e përjetojnë më shumë, por gjithsesi janë mjaftueshëm profesionistë për të menaxhuar edhe presionin. Kemi ende edhe 7 ndeshje për të luajtur dhe do të bëjmë maksimumin, për të marrë sa më shumë pikë të mundemi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here