Pas barazimit 1-1 në ndeshjen ndaj Polonisë, kombëtarja shqiptare e futbollit te femrave mori një tjetër rezultat historik, këtë herë arriti të regjistronte fitoren e parë në eliminatoret e Botërorit, Francë 2019 pasi mposhti 1-0 Bjellorusinë në Elbasan Arena. Një pjesë e parë që foli më tepër në favor të vajzave kuqezi, ku dëshira dhe përkushtimi për të gjetur rrugën e rrjetës ishte më i madh, por fati nuk ishte në anën e tyre. Bjelloruset gjithashtu u munduan të linin shenjë, por tentitavat e tyre ishin të dobta. Në pjesën e dytë sërish situata nuk njeh ndryshim. Ekipi i drejtuar nga Armir Grima shtoi forcën sulmuese, por pa mundur dot të konkretizojë mundësitë jo të pakta të  krijuara. Fati ishte kundër tyre në disa raste, sepse vetëm 3 min nga fillimi i fraksionit të dytë, goditja me kokë nga ana e Kristina Maksutit u ndal nga shtylla.  Në të 66-ën, Qëndresa Krasniqi rezulton sërish e pasukseshme. Në min e 78-të, festën e vajzave kuqezi e ndal traversa. Sërish devijimi i topit me kokë, por këtë herë nga Arbiona Krasniqi. Kur gjithçka dukej se do të përfundonte në barazim, Luçie Gjini i jep skuadrës fitoren e parë, duke bërë që Shqipëria të ngjitej në kuotën e 4 pikëve dhe të linte pas në renditje pikërisht Bjellorusinë duke u ngjitur në vendin e 4-t në grupin 2.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here