Dy skuadrat përfaqësuese që kanë fituar titujt e fundit Botërorë, Gjermania dhe Spanja do të vihen përballë në orën 20:45, në stadiumin “ESPRIT Arena” të Dyseldorfit, në një miqësore luksi tepër të veçantë, ku pritet të bëjnë edhe korrigjimet e fundit në prag të botërorit të ardhshëm, që do të startojë në Rusi, më datën 14 qershor.

Kampionët në fuqi të botës nuk kanë pësuar luhatje dhe vazhdojnë të kryesojnë renditjen e FIFA-s, të shkëputur ndjeshëm nga Brazili, që pozicionohet në vendin e dytë, gjithsesi drejtuesit e Deutscher-Fussball-Bund kanë menduar edhe për “pentakampeonët”, sepse të martën e ardhshme, pas Spanjës, “Die Mannschaft” do të masë forcat pikërisht me “verdhjeshilët” e Tites në “Olimpiastadion” të Berlinit.

Nëse Gjermania dhe Brazili konsiderohen si ekipet favoritë për të triumfuar në finalen e “Luzhnikit” më 15 korrik, prapa nuk mbetet as “furia roja”, përfaqësuese që nuk mund të nënvlerësohet në nivele të tilla, sepse që pas eliminimit në evropian nga Franca dhe zëvendësimit të veteranit Vicente Del Bosque, Spanja nën drejtimin e ish-portierit Julen Lopetegui tashmë numëron plot 16 ndeshje pa humbje.

51-vjecari bask, që duhet të mendojë gjithashtu edhe për testin miqësor të ditës së martë ndaj Argjentinës në “Wanda Metropolitano”, ka grumbulluar për herë të parë në përfaqësuese emra të tillë si Marcos Alonso, Daniel Parejo, si dhe mesfushorin e Villarealit, Rodrigo Hernandez. Lopetegui nuk ka thirrur në kombëtare Alvaro Moratën, por ka rikthyer në përfaqësuese pas plot 9 muajve, sulmuesin e Atletikos së Madridit, Diego Costa.

Pasi rrëshqiti deri në vendin e 10 në vitin 2016, tashmë përfaqësuesja iberike është përmirësuar ndjeshëm, teksa pozicionohet në vendin e 6 në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, madje gjatë drejtimit të Lopeteguit, Spanja ka barazuar me Anglinë dhe ka mundur me radhë Belgjikën, Francën dhe Italinë. Në krahun tjetër Gjermania duket se nuk ka aspak pika të dobëta dhe me të drejtë trajneri Joachim Low i ka lënë prej kohësh eksperimentet.

Kjo është përballja e parë ndërmjet këtyre dy përfaqësueseve, që nga miqësorja e Vigos, 3 vjet e gjysmë më parë, ku “panzer”-at ia dolën mbanë për të fituar falë një gjuajtjeje të mesfushorit Toni Kroos, në fund të ndeshjes, megjithatë 58-vjecari nga Baden-Wurttemberg ruan kujtime të këqija nga duelet me Spanjën. Joachim Low ka qenë trajneri i Gjermanisë në finalen e vitit 2008 në Vjenë, kur Fernando Torres i dha evropianin Spanjës si dhe në gjysmëfinalen e Durbanit, në Afrikën e Jugut, kur “të kuqtë” siguruan kualifikimin falë golit të paharruar të Carles Puyol.

Gjermania ka një brez të shkëlqyer futbollistësh, e kuptohet qartë që rivaliteti brenda gjirit të skuadrës është tepër i madh, prandaj pritet me kureshtje formacioni titullar për ndeshjet respektive me Spanjën dhe Brazilin, si dhe zgjedhjet që do të bëjë Joachim Low në këto dy takime. Gjermania është një nga 7 përfaqësueset ndaj të cilave Spanja ka bilanc negativ në këtë sport, sepse “Die Mannschaft” kryeson 9-7 bilancin e 22 ndeshjeve të zhvilluara, gjithsesi ky trend ka ndryshuar prej pak kohësh, pasi “furia roja” ka fituar pikërisht 3 nga 4 përballjet e fundit ndërmjet tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here