Priti startin e fazës së 4-t, por më në fund Ali Sowe ia doli që të kalojë Elis Bakajn në garën për Këpucën e Artë. Sulmuesi nga Gambia, autor i golit të parë në fitoren 0-3 të korçarëve në transfertën ndaj Flamurtarit, është tashmë i vetëm në krye të klasifikimit me 13 realizime. 24- vjeçari, që e nisi me ritëm të ulët realizimi sezonin, ka përmirësuar ndjeshëm shënjestrën dhe tashmë është kandidati kryesor për të marrë Këpucën e Artë.

13 realizime, të gjithë nga aksionet dhe asnjë me penallti e bëjnë ish- sulmuesin e Shievos në Serinë A më produktivin, duke lënë pas 3 futbollistë, Elis Bakaj, që ka mbyllur llogaritë me kampionatin, si dhe Reginaldon e Laçit dhe Gurin e Kukësit. Numri 9 i kurbinasve nuk shënon prej 2 ndeshjesh në kampionat, duke u ndalur në kuotën e 12 realizimeve, ndërkohë që Guri mungoi ndaj Kamzës për arsye skualifikimi.

Pritej që Këpuca e Artë të kishte pretendentë të rinj, pasi Bakaj u largua nga Kukësi drejt Bjellorusisë dhe në fakt gara po rezulton e ashpër. Prapa këtyre emrave qëndrojnë të tjerët, me Kristal Abazajn e Luftëtarit dhe Sebino Plakun e Kamzës që kanë ngecur në kuotën e 9 golave të shënuar. Në 5 më të mirët që aktivizohen ende në kampionat bie në sy fakti që Reginaldo është sulmuesi me më shumë gola të realizuar nga pika e bardhë e penalltisë, plot 5 të tillë, ndërsa vetëm një herë ka shënuar me 11-metërsh shkodrani Sindrit Guri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here