Muarem Muarem shqetëson Flamurtarin. Afrimi më i bujshëm në merkato u dëmtua vetëm pak orë përpara se vlonjatët të ktheheshin në shtëpi. Një tërheqje muskulore që e ka detyruar mesfushorin të udhëtojë drejt Shkupit për të vijuar për disa ditë rehabilitimin duke humbur ndeshjen e parë me Partizanin. Lëndimi i 29-vjeçarit me një të kaluar te Qarabag dhe Aktobe është nota e vetme negative pas fazës përgatitore në Turqi.

Shpëtim Duro

“Fatkeqësisht vetëm dy ditë para kthimit në Shqipëri, Muarem Muarem pësoi një lëndim. Kontrollet e specializuara në Shkup konfirmuan një tërheqje muskulore dhe lojtari nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen me Partizanin. Ky është i vetmi problem, pasi pjesa tjetër e përgatitjeve shkoi mjaft mirë dhe u zhvillua në kushte optimale”.

Një tjetër temë e nxehtë e merkatos ka qenë edhe e ardhmja e Danilo Alvesh. Sulmuesi pëlqehej nga Skënderbeu, por trajneri Duro mbyll çdo diskutim, duke e cilësuar brazilianin një element të rëndësishëm të ekipit.

Shpëtim Duro

“Danilo do të vazhdojë të luajë te Flamurtari. Ai ka qenë titullar i padiskutueshëm gjatë dy fazave të para, ndërsa në pesë ndeshjet e fundit ka mbajtur shiritin e kapitenit. Blerjet e reja kanë shërbyer për të rritur konkurencën në skuadër dhe nuk do të thotë se duhen bërë largime. Danilo qëndron me Flamurtarin”.

Drejtuesi i stolit kuqezi analizoi edhe startin e vështirë të gjysmës së mbetur të sezonit. Tre përballjet me Partizanin mes kampionatit dhe Kupës, si edhe sfidat me Skënderbeun dhe Kukësin.

Shpëtim Duro

“Janë ndeshje të vështira, por kjo vlen si për Flamurtarin, ashtu edhe për rivalët tanë duke nisur nga Partizani, e për të vazhduar me Kukësin dhe Skënderbeun. Kampionati ynë rifillon me ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Partizanit, ku do të kërkojmë të marrim maksimumin. Hap pas hapi të njëjtën gjë do të synojmë edhe në takimet e tjera”.

Duro foli edhe për objektivat e Flamurtarit deri në fund të sezonit. Ato janë qëndrimi në zonën e kupave të Europës në kampionat, duke qenë se diferenca prej 9 pikësh nga Skënderbeu kryesues duket e vështirë të rikuperohet, si edhe vazhdimësia në Kupë.

Shpëtim Duro

“Ne do të luajmë deri në fund për të dyja kompeticionet edhe pse nuk e kemi presionin e rezultateve. Fakti është që nëse nuk do të humbisnim pikë në dy fazat e para dhe të ishim më afër me Skënderbeun, mund të ishim në garë për titull. Në situatën ku jemi, duke vlerësuar distancën e sigurisë dhe kualitetin që kanë kryesuesit bëhet më e vështirë të pretendosh”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here