Pas penalltisë së akorduar për Realin, në takimin e kthimit të çerekfinaleve të Champions League, u rihap edhe njëherë debati mbi instalimin e VAR-it në kompeticionet europiane.

Vetë UEFA ka mbajtur një qëndrim zyrtar, duke thënë se nuk është ende gati për të aplikuar VAR-in në ndeshjet e Championsit dhe Europa Leagues. Organizmi europian i futbollit ka kërkuar kohë para se të vendosë aplikimin, pasi dëshiron të bindet mbi sigurinë dhe efikasitetin e sistemit.

Gjithsesi, edhe FIFA sot ka kërkuar zyrtarisht nga UEFA, që të instalojë teknologjinë në ndihmë të arbitrave, në ndeshjet europiane. Vetë presidenti Infantino nuk ka preferuar të mbajë qëndrim në lidhje me faktin nëse ishte apo jo 11-metërshi për Realin e Madridit, por tha se VAR-i duhet në respekt të milionave që investohen në këtë sport.

“Mendoj se UEFA duhet të fillojë punën për instalimin e teknologjisë në ndeshjet ku është vetë organizatore. Sigurisht që ne kemi besim te arbitrat në fushën e lojës, por teknologjia do të ndihmonte në shmangien e gabimeve njerëzore. Minimalisht, teknologjia do të shuante të gjitha dilemat apo brengat e klubeve, pasi do të ndërhynte në kohë. Duhet të respektohen milionat që investohen nga shumë klube”, deklaroi Infantino.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here