Mesfushori kosovar i Partizanit, Esat Mala, në një konferencën për shtyp të kësaj të enjteje komentoi të tashmen dhe të ardhmen, duke shprehur besimin e plotë se të kuqtë e do ta mbyllin kampionatin në vendin e dytë.

“Prej kur kam ardhur te Partizani, vetëm jam rritur shumë profesionalisht. Më kanë ndihmuar shumë stafi teknik dhe grupi i lojtarëve. Ndihem shumë mirë dhe jemi në një etapë të re, në formë shumë të mirë.”

Aktivizimi titullar

“Personalisht, jam shumë i kënaqur, sepse nuk është e lehtë të jesh titullar te Partizani. Me besim dhe punë mund të arrihet gjithçka. Do të vazhdoj t’i vlerësoj minutat që më jep trajneri për të bërë më mirën time.”

Interesimi i Shtutgartit

“Nuk është se di ndonjë gjë. Mund të them se jam i fokusuar vetëm te Partizani. Çfarëdo që të ndodhë, do të vendosin drejtuesit e këtij klubi, bashkë me mua. Po shoh të tashmen në këtë moment dhe jo të ardhmen.”

Për ndryshimin në stol

“Nuk është se parapëlqej të bëj krahasime mes trajnerësh, por, siç e ka thënë edhe kapiteni pas ndeshjes së fundit, ka një dëshirë më të madhe të trajnerit të tanishëm. Jemi në formë të mirë dhe shpresojmë të na ecë edhe në vazhdim. Konkurrenca të ndihmon të ecësh më shumë si lojtar. Kur Telushi ishte i dëmtuar, kisha mbështetjen e tij. Konkurrenca na bën më të fortë.”

Përballja me Laçin

“Mund të jetë ndihmë për ne fakti që kundërshtari luajti në mesjavë dhe mund të ketë shpenzuar shumë energji, por duhet të bëjmë gjithçka që të marrim 3 pikët në Laç për të vazhduar me rezultatet pozitive. Mendoj se jemi kandidatë të fortë për vendin e dytë në kampionat. Objektivi ynë është Europa, që me shumë mundësi do ta arrijmë me vendin e dytë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here