Pas fitores 4-2 të Juventusit në Campania ndaj Beneventos e gjithë vëmendja përsa i përket rivalitetit për titull në Serinë A përqendrohet vetvetiu në takimin Napoli – Chievo. Në rrethana të tjera kjo ndeshje do të konsiderohej si tepër e lehtë për ekipin e Sarrit, por me shtatë pikë diferencë nga kampionët në fuqi të Juventusit tani është e kuptueshme që gjithë presioni bie mbi “të kaltrit”, që duhet të gjejnë patjetër forca për të reaguar, të paktën për të mbajtur gjallë shpresat për titull. Napoli u shpall kampion i dimrit dhe kryesoi kampionatin italian vërtet për shumë javë, megjithatë goli i shënuar në sekondat e fundit të kohës shtesë nga Paulo Dybala në stadiumin “Olimpico” të Romës ndaj Lazios bëri efektin e kundërt tek ekipi i Sarrit, që befas ka humbur shtatë pikë në katër javët e fundit ndaj kundërshtarëve si Inter, Roma dhe Sassuolo.

Takimi do të luhet në orën 15:00 në stadiumin “San Paolo” dhe bëhet fjalë për një sfidë që ngjall shumë interes, pasi në njërin krah Napoli synon titullin e parë pas plot 28 vjetësh, ndërsa në anën tjetër Chievo po bën çmos për të evituar rrëshqitjen në Serinë B. Vendasit nuk do të kenë në dispozicion dyshen Jorginho – Raul Albiol, ndërsa te Chievo po për çështje kartonash do të mungojë Fabrizio Cacciatore, gjithsesi vlen të kujtohet fakti që “verdheblutë” bashkë me Interin ishin të vetmet skuadra që ia dolën mbanë për të frenuar Napolin në 14 ndeshjet e para të edicionit të sivjetshëm të kampionatit italian.

Në orën 18:00 në Serinë A do të luhet gjithashtu edhe ndeshja tjetër Udinese – Lazio, një takim i vështirë për “bardhekaltrit”, duke patur parasysh ngjeshjen e kalendarit si dhe energjitë e shpenzuara pikërisht mbrëmjen e së enjtes, në ndeshjen e vajtjes në Europa League me Salzburgun. Ekipi i Simone Inzagit që ka fituar 6 nga 7 përballjet e fundit ndërmjet tyre është i dënuar për të dalë me tre pikët nga Friuli, për shkak të tabelës së renditjes, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që “bardhezinjtë” e Udineses po përjetojnë momentin periudhën më të vështirë të sezonit, teksa paraqiten në këtë duel pas shtatë humbjeve rresht në kampionat.

Takimi i mbrëmjes në kampionatin italian luhet në stadiumin “Giuseppe Meazza”, ku Milani rikthehet për të luajtur me Sassuolo-n, pas barazimit pa gola të mesjavës në derbin me Interin. Pikërisht barazimi me “zikaltrit” si dhe disfata me Juven duket se i kanë distancuar përfundimisht “kuqezinjtë” nga Zona Champions për këtë sezon, rezultate që gjithsesi nuk i frenuan aspak drejtuesit e klubit nga firmosja e kontratës me trajnerin Gennaro Gattuso, ndërkaq në anën tjetër klubi nga Reggio Emilia që po bën maksimumin për t’u shkëputur nga “zona e ftohtë” paraqitet në këtë takim pas katër ndeshjeve pa humbje, gjithsesi kurioz është fakti që në të gjitha vizitat në historinë e Serisë A Sassuolo është mposhtur në San Siro nga Milani përherë me një gol diferencë.

Në Spanjë ndeshja e mbrëmjes është Valencia – Espanyol, ku vendasit do të bëjnë çmos për të ruajtur hapin e Realit të Madridit, për më tepër përballë do të gjejnë një figurë tepër të njohur si Quique Sanchez Flores, që ka kaluar plot 10 sezone me “los che” si futbollist dhe dy të tjerë si trajner.

Në Angli Java e 28 ishte java e ndeshjeve derbi dhe në orën 17:00 në Premiership në kryeqytetin britanik do të luhet derbi i Londrës Chelsea – West Ham United. Pas fitores së Tottenham Hotspur, që pozicionohet në vendin e katërt, në Stoke – on – Trent “blutë” e gjejnë veten plot 11 pikë poshtë “gjelave”, kështu që futbollistët e Antonio Conte-s, të shtrënguar edhe nga rrethanave në klasifikim kanë gjithashtu edhe hak për të marrë për humbjen e fazës së parë.

Në Holandë në orën 14:30 do të luhet fillimisht takimi Twente – Feyenoord, ndërsa në orën 16:45 radhën do ta ketë dueli Ajax – Heracles. Në fund hapësirë si zakonisht do të ketë edhe për Bundesligën, ku do të zhvillohen takimet Borussia Dortmund – Stuttgart dhe Eintracht – Hoffenheim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here