Elseid Hysaj po zhvillon sezonin e tij të 3-të te Napoli, ku prej kohësh është kthyer në një futbollist stabël i krahut të djathtë të mbrojtjes. Ai është nga futbollistët që luan më shumë minuta në sezon, jo vetëm te napolitanët, por edhe në të gjithë Serinë A.

Për shkodranin nuk ka munguar as interesi i klubeve të mëdha europiane, që duke parë moshën dhe eksperiencën e Hysajt, janë të gatshme të shpenzojnë shuma të mëdha për të marrë shërbimet e tij.

Agjenti i futbollistit, Mario Giuffredi, në një intervistë për një radio napolitane ka konfirmuar interesin e disa skuadrave për Hysajn, por ka theksuar se e ardhmja e tij është e lidhur ngushtë me atë të trajnerit Sarri.

“Hysaj luan sezonin e 3-të tashmë dhe duke qenë një titullar i padiskutueshëm, por edhe një futbollist i ri në moshë, ka ngjallur interes në shumë klube me emër, që më kanë telefonuar dhe më kanë kërkuar informacione. Nuk është etike që të përmend emra, përderisa nuk kemi asnjë gjë konkrete. Sa i përket të ardhmes së Hysajt, mund të them se është e lidhur ngushtë me atë të Sarrit. Nëse tekniku konfirmohet te Napoli edhe për sezonin e ardhshëm, atëherë edhe Hysaj do të qëndrojë, pasi ata kanë një raport special me njëri-tjetrin. Sarri e njeh mirë lojën e Hysajt, ndërsa ky i fundit e di fare qartë se çfarë duhet të bëjë në fushë”, tha Giuffredi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here