Flamurtari pësoi humbjen e dytë radhazi, pasditen e sotme me Vllazninë, por ajo që u evidentua ishte pësimi i 3 golave, si asnjëherë më parë në këtë sezon .

Jeni skuadra me mbrojtjen më të mirë, por sot pësuat 3 gola dhe mund të kishit pësuar më shumë. Çfarë ndodhi sot?
Duro: Mungesat ishin të shumta, pasi ishin rreth 7-8 futbollistë. Pishmani im ishte se e nisëm ndeshjen në mënyrë perfekte, por ai episodi i golit të Vucajt, që i dha një tjetër rrjedhë takimit. Me atë gol Vllaznia fitoi qetësinë dhe kjo e ndihmoi të vijojë lojën. Edhe në pjesën e dytë pësuam shumë shpejt dhe aty mbaroi loja për ne, ndërsa mund të kishim pësuar shumë më tepër.

Fitorja mungon prej 3 javësh. A kanë qenë kaq të fortë kundërshtarët?
Duro: Unë e kam thënë edhe më herët, që takimet në Superiore janë të gjitha të vështira. Edhe në 3 javët e ardhshme do të vijojmë të vuajmë, pasi do të kemi sërish probleme me mungesat, sepse tani përveç dëmtimeve, po pastrohemi edhe nga kartonët. Kur të jemi të plotë, besoj se do të rikthehemi të luajmë për objektivat tanë.

Veliu luan shpesh me topa të gjatë, kur aktivizohet. Mos ndoshta ai prish mekanizmin e lojës tuaj?
Duro: Ne vetëm sot kemi pësuar, pasi në 22 ndeshjet e tjera kishim pësuar vetëm 13. Ndaj Vllaznisë në luajtëm shumë mirë veçanërisht në 25 minutat e para, por goli ndryshoi ekuilibrat. Golin e dytë e pësuam pas një gabimi të një lojtari të ri dhe më pas historia u komplikua. Gjithsesi, duhet të evidentoj se na mungonin dy mesfushorët tanë titullarë dhe u detyruam t’i besonim të rinjve.

A jeni i kënaqur me gjendjen e lojtarëve që keni marrë në janar? A janë ata brenda pritshmërive?
Duro: Muarem dhe Tounkara kanë luajtur shumë pak dhe nuk mund t’i analizojmë, pasi kanë vuajtur dëmtimet. Pra, ka qenë fati i keq i tyre dhe i yni, që nuk po munden të shprehen në fushë. Zuka është një djalë i ri dhe e kemi marrë pa shumë kosto financiare, por për aq sa ka luajtur, e ka justifikuar besimin, me paraqitjen e tij. Sa i përket Nedjelkoviçit, mund të them se presim shumë më tepër nga ai, pasi në Maqedoni ka qenë golshënues për dy vite, por te ne nuk po arrin të japë atë që presim.

A jeni i shqetësuar për faktin se nuk shënoni prej 3 takimesh?
Duro: Patjetër që shqetësohem disi, por jo për paraqitjen e lojtarëve. Unë jam i shqetësuar për mungesat, pasi Bushiç punon shumë mirë për ekipin, edhe kur nuk dërgon topin në rrjetë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here