Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro u shpreh mjaft i mërzitur për humbjen e pësuar sot në shtëpi, ndaj Luftëtarit, ndërsa evidentoi edhe mungesat e skuadrës.

Morët një dhuratë dje nga Kukësi, por nuk arritët ta shfrytëzonit. Çfarë ndodhi sot?
Shpëtim Duro: E kisha parashikuar si një ndeshje të vështirë, pasi e dinim që Luftëtari është shumë i rrezikshëm jashtë fushe. Në pjesën e parë luajtëm mirë dhe patëm disa mundësi për të shënuar, por nuk e bëmë dhe nuk arritëm të ndryshojmë ekuilibrat. Këtë gjë e bëri Luftëtari në fillim të pjesës së dytë dhe më pas menaxhoi mirë situatën. U penalizuam edhe nga disa mungesa që patëm në ekip, pasi u detyruam t’i ndryshojmë rolet lojtarëve, për të përballuar sfidën.

A do të vijojë Flamurtari betejën për vendin e dytë, apo do të përqendrohet në Kupën e Shqipërisë?
Shpëtim Duro:Ne do të vijojmë të bëjmë lojën tonë dhe të japim maksimumin, por duhet thënë se kampionatin është shumë i vështirë dhe duhet dhënë maksimumi, për t’ia dalë. Kemi edhe probleme organike, pasi shumë lojtarë janë të dëmtuar dhe disa të tjerë po ndiejnë shenja lodhjeje, pasi kanë mbajtur peshën e ekipit deri në këtë javë. Edhe sot vuajtëm shumë edhe mungesën e Pollozhanit në qendër të mbrojtjes, pasi kishim mungesa në mesfushë.

Mos ndoshta i mungoi disi agresiviteti skuadrës sot?
Shpëtim Duro:Nuk bëhet fjalë për nënvlerësim, pasi ne e kishim të qartë që Luftëtari është një skuadër shumë e fortë. Por janë momente të caktuara, që përcaktojnë edhe ecurinë e ndeshjes. Edhe kushtet atmosferike ndikuan, pasi në pjesën e dytë kishim kundër erën e fortë, që na pengonte të ndërtonim aksionet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here