Trajneri i Flamurtarit vlerësoi paraqitjen e skuadrës pas barazimit 2-2 me Kamzën, por edhe njëherë evidentoi se arbitri ndikoi, duke i mohuar një 11-metërsh vlonjatëve.

Skuadra tregoi grintë dhe rikuperoi dy herë disavantazhin, ndërsa në fund edhe mund të kishte fituar. Çfarë ndryshoi në këtë takim te Flamurtari?
Duro: Duke iu referuar situatës mjaft problematike në shumë aspekte, sot morëm edhe një goditje me mungesën e Bushiçit, një lojtar thelbësor. Ajo që skuadra tregoi gjatë gjithë 90-minutëshit, është për t’u lavdëruar. Reaguam mirë edhe me 10 lojtarë dhe mund të kishim fituar, pro nuk ia dolëm, kjo edhe për faktin se na u mohua një penallti në fund.

Pas golit të barazimit, vijnë dy gabime radhazi te Flamurtari, fillimisht Sidibe humb topin, pastaj Bicaj ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Edhe pas faullit gaboni dy herë në nisje dhe ndëshkoheni. Mos ndoshta skuadra kaloi në eufori?
Duro: Jam dakord që gabuam pas barazimit 1-1 dhe ai gabim na kushtoi kartonin e kuq fillimisht, por edhe golin e dytë të Kamzës më pas, që na riktheu edhe njëherë në disavantazh. Normalisht, edhe ne kemi probleme që janë për t’u analizuar, por në tërësi mund të them se jam i kënaqur me grintët që lojtarët shfaqën në fushë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here