Dy kandidatët potencialë për kreun e FSHF-së, Presidenti aktual Armando Duka dhe deputeti i PS-së Bashkim Fino, u përballën sonte për herë të parë në një debat televiziv. Në televizionin Top Channel, 2 kandidatët shpalosën platformat e tyre, ndërsa nuk munguan edhe akuzat e kundër-akuzat mes njëri-tjetrit.

Fino mohoi që të jetë konsultuar me Ramën, para se të vendoste për të kandiduar, ndërsa premtoi se do të rikthejë transparencën dhe besueshmërinë në futbollin shqiptar.

“Nuk do ketë asnjë ekip të privilegjuar në presidencën time. Futbolli shqiptar ka nevojë për një ndryshim. Futbolli është një mision publik ka nevojë për pastërti, menaxhim më të pastër. Nevojitet ndryshim drastik në mënyrën e drejtimit menaxherial të FSHF-së. Gara ime s’ka të bëjë me emra të përveçëm, kundër Armand Dukës, ka të bëjë me një alternativë tjetër. Integriteti, pjesa ime reformatore dhe aftësitë menaxheriale janë kualifikuese për kandidat. Ka ardhur koha për një ndryshim, për të rikthyer besimin tek kampionati shqiptar. Njerëzit e cilësojnë futbollin tonë si të paracaktuar. Standardizim të ri, kufizim të presidencës. Delegatët e Federatës duhet ta vlerësojnë si një platformë të ndryshme nga këto 16 vite. Integriteti im nuk është në atë nivel që unë të marrë leje për atë që duhet të kandidoj. Kam dhënë dorëheqje si sekretar i përgjithshëm. Doja të kisha kohë të mjaftueshme. Nuk kam pyetur fare zotin Rama nëse duhet të kandidoj për kryetar të FSHF-së. Kam kandiduar me dëshirën dhe koshiencën time”, u shpreh Fino.

Nga ana tjetër, Duka theksoi se rikandidimi i tij vjen në një moment mjaft të mirë të FSHF-së, ndërsa kundërshtoi akuzat e Finos për paracaktim të garës dhe akuzoi rivalin e tij se ka mbështetje nga politika, edhe pse po e fsheh këtë.

“Bashkim Finon e konsideroj si një sfidant që ka dëshirë të bëjë më mirë për një institucion. Rikandidmi im vjen në një moment mjaft të mirë të FSHF-së. Ka qenë një institucion thuajse inekzistent. Kemi bërë shumë gjatë kësaj periudhe, kemi bërë edhe gabime, por kemi pasur më shumë suksese. Suksese në garat brenda vendin, madje kemi arritur shumë edhe në arenën ndërkombëtare. Ti e ke politizuar shumë këtë fushatë dhe kërkon ta zbehësh këtë me një fotografi. Nuk kam qenë i angazhuar kurrë në politikë. Kam marrë pjesë në një aktivitet dhe këtë nuk e mohoj, por nuk mund ta kamuflosh të gjithë atë që ke krijuar me një fotografi. Nuk mund ta mohoj të drejtën e Finos për të qenë kandidat. Ka plot raste, si në Rusi ku Presidenti i Federatës është edhe zv/kryeministër. Por nuk e konsideroj të drejtë veprimin e mosdhënies së dorëheqjes nga mandati i deputetit. E para se pse nuk është e drejtë ndaj atyre që do u kërkojë votën. E dyta: në një garë hyn me idenë për të fituar, e nëse mendon që ta mbash mandatin për të vazhduar si deputet nëse humbet, ke hyrë në garë për të humbur”, tha Duka.

Në lidhje me akuzat për paracaktim të fituesve dhe manipulim të garës, kreu aktual i FSHF-së u shpreh: Në një garë ka edhe gabime njerëzore, por ka edhe të pakënaqur. Të gjitha ekipet kanë pasur uljet dhe ngritjet e veta gjatë kësaj periudhe, por që lidhen vetëm me organizimin e tyre të brendshëm, jo me organizimin e garës. Ti Bashkim vjen nga një fushë e papastër dhe premton se do të pastrosh futbollin, që gjithsesi, është shumë më i pastër se politika.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here