Në garën e parë të sezonit, atë të Katarit, Marc Marquez humbi vendin e parë të podiumit, pas një dueli në fund me Andrea Dovizioson, që doli fitimtar. Ndalesa e radhës në Moto Grand Prix është Çmimi i Madh i Argjentinës ku piloti spanjoll synon triumfin, që iu rrëmbye në xhiron e fundit në Losail. Sigurisht që edhe në cirkutin e Termas de Rio Hondo 25-vjeçari është një nga kandidatët kryesorë për të triumfuar, megjithatë Marquez duket se i ka nxjerrë leksionet nga gara e Katarit dhe sheh me optimizëm nga gara e së dielës.

“Në xhiron e fundit mund të kisha bërë më mirë, por gjithsesi jam krenar për rezultatin. Ka qenë një punë shumë e mirë nga ana e skuadrës dhe për këtë jam i lumtur. Unë ndihem i fortë dhe pista në Argjentinë më pëlqen shumë. Vitin e kaluar sulmova shumë në xhirot e para, ishte faji im, por kam nxjerrë mësimet e mia dhe tani synoj të arrij një rezultat të mirë. Objektivi është vendi në podium, më pas të shohim.”

Gjithsesi, Andrea Dovizioso do të sigurohet që të mos ia bëj të lehtë suksesin kampionit të botës në fuqi, edhe në këtë fundjavë. Piloti italian, në konferencë për shtyp tha se për të ishte shumë e rëndësishme fitorja në garën e Katarit, pasi i ka dhënë besim për të ardhmen. 32-vjeçari pranoi se është stërvitur mirë dhe se është i përqendruar te ky sezon, pas një botërori shumë të mirë në vitin e kaluar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here