41 ditë nga trofeu i parë në ishull, në krye të City-t, pas triumfit në ‘Wembley’ ndaj Arsenalit në finalen e Kupës së Ligës, Pep Guardiola ka mundësinë për të siguruar edhe matematikisht titullin në Premier League. Për të arritur këtë “sky blues” natyrisht më parë do të duhet të thyejnë qëndresën e Manchester United në një derbi të zjarrtë, që po merr gjithmonë e më shumë rëndësi për të dy klubet.

E gjitha kjo natyrisht përkon me rënien e kampionëve në fuqi të Chelsea-t, apo dhe zhdukjen e Arsenalit nga harta e katërshes së parë në Premiership, sidoqoftë rivaliteti ndërmjet dy klubeve të Manchesterit sa vjen e shtohet dhe për këtë sigurisht që ka ndikuar shumë edhe emërimi i dy trajnerëve si Pep Guardiola e Jose Mourinho.

Sheikët e City-t kishin shpresa të mëdha për një sukses në Champions, sepse për hir të së vërtetës titullin “citizens” e kanë fituar jo shumë kohë më parë, me Roberto Mancinin dhe Manuel Pelegrinin, respektivisht në vitet 2012 e 2014, sidoqoftë pavarësisht disfatës së rëndë me Liverpulin në ‘Anfield’, trajneri katalanas ka ditur të ndërtojë një skuadër të madhe, që mbi të gjitha praktikon një futboll vërtet tërheqës. City i Guardiolës bëhet gati për të ‘grisur’ shumë rekorde në historinë e Premier League-s, gjithsesi përkrahësve të shumtë të “qytetarëve” tani iu intereson pikërisht titulli në derbin me “djajtë e kuq”.

Takimi luhet në ‘Etihad’, ku City ka fituar radhazi 14 ndeshjet e fundit në Premier League, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që United në dy vizitat e fundit në këtë pjesë të Manchesterit, nuk ka pësuar as gol. Pas eliminimit nga Sevilla, Jose Mourinho deklaroi se United është në një periudhë tranzicioni, gjithsesi trajneri portugez të paktën këtë herë ka një rast të shkëlqyer, për të prishur festën e vendasve. Sezonin e kaluar 55-vjeçari portugez u paraqit në ‘Etihad’ pothuajse me formacionin rezervë, pasi vëmendja ishte në Europa League, e megjithatë “red devils” ia dolën mbanë për të ruajtur të paprekur portën.

Edicionin e kaluar City e përfundoi kampionatin në vendin tretë, tre pozicione më lart sesa United dhe me 9 pikë më shumë, ndërsa këtë radhë vendasit kanë në dorë për t’u shkëputur plot 19 pikë larg, me vetëm 6 ndeshje për t’u luajtur. Jose Mourinho paraqitet me një skuadër të çlodhur, por mbi të gjitha me synimin për të rrëmbyer të paktën një pikë, që do të kishte vërtet shumë vlerë në rivalitetin për vendin e dytë. United ka humbur 8 nga 13 përballjet e fundit ndërmjet dy klubeve, ndërkaq sfidë brenda sfidës sigurisht do të jetë edhe përballja në distancë mes dy trajnerëve, ku Guardiola kryeson 9-4 në 20 ndeshjet që kanë pasur gjithsej.

“Djajtë e kuq” në krahun tjetër kanë fituar vetëm 1 nga 10 përballjet jashtë fushe, ndaj skuadrave të pagëzuara “big six”. Takimi do të luhet në orën 18:30 dhe do të gjykohet nga arbitri Martin Atkinson. Është e kuptueshme vendasit do të bëjnë çmos për të festuar titullin në mënyrë të paharrueshme pikërisht ndaj rivalëve të tyre më të urryer, ndërsa futbollistët e United kanë një rast të shkëlqyer për të prishur planet e City-t duke marrë hak gjithashtu edhe për humbjen 2-1 të fazës së parë, gjithsesi skenari më i mirë për Guardiolën ndoshta është ai i fitimit të titullit të shtunën tjetër në ‘Wembley’, ndaj Tottenham Hotspur, pasi impianti mitik londinez është një ogur shumë i mirë për trajnerin katalanas, që në atë stadium ka fituar Kupën e Kampioneve ndaj Samdorias si futbollist dhe Champions League-n pikërisht ndaj United si trajner.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here