Lushnja ia doli të befasojë Teutën dhe t’i prishë debutimin Stavri Nicës, duke dalë nga ‘Niko Dovana’ me një barazim mjaft të vlefshëm. Dyshja sulmuese e lagunarëve Sefa-Canka treguan se e njohim mjaft mirë lojën e njëri-tjetrit dhe se janë të aftë të prodhojnë gola për skuadrën lushnjare.

“Ia arritëm qëllimit që të mos e nisim vitin me humbje, por mendoj se mund të merrnim edhe më tepër se kaq, nëse do të kishim guxuar edhe pak. Canka dhe Sefa janë një dyshë shumë e mirë sulmuese, që luajnë prej kohësh bashkë dhe arrijnë ta nxjerrin golin. Jam munduar që të rikuperoj disi në repartin e mbrojtjes, por këtë kontigjent kemi në dispozicion dhe duhet të përshtatim formacionin”, tha Dedja.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, pati edhe një incident me tifozërinë mike, që filloi të protestojë ashpër dhe të përplaset me policinë, duke bërë që disa prej tyre të shoqëroheshin në ambientet e komisariatit.

“Pati pak shpërqendrim për ndërhyrjen e policisë, por rëndësi ka që përfundoi menjëherë pjesa e parë dhe pushimi më shërbeu që të qetësoj skuadrën dhe ta rikthej në lojë. Ishin një grup tifozësh prej 10-15 personash që kishin pakënaqësi me gjyqtarin dhe kontestuan gjykimin. Ata janë në komisariat, por ne do të shkojmë atje, të negociojmë për lirimin e menjëhershëm të tyre”, u shpreh trajneri shkodran i Lushnjës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here