3 fitoret radhazi, por mbi të gjitha 13 pikët e grumbulluara nën drejtimin e Klevis Dalipit, kanë shtuar entuziazmin te Partizani. Të kuqtë e kryeqytetit falë kësaj ecurie kanë arritur të kthehen në vallen e pretendentëve për një vend në zonën europiane, duke kapërcyer nga vendi i 7 në të 3-të.

Java e 29 i rezervon një përballje direkte për vendin e dytë, me Kukësin kampion në fuqi, që për momentin është i distancuar 6 pikë larg. Trajneri Klevis Dalipi analizon kundërshtarin dhe situatën e skuadrës së tij në prag të një sfide kaq të rëndësishme.

“Do jetë një ndeshje e vështirë për vetë pozitat që jemi. Kemi përballë një kundërshtar më shumë kualitet. Por duke qenë se luajnë edhe në kupë, mendoj se jemi të avantazhuar përsa i përket vendosmërisë. Do tregojmë fytyrën tonë në një ndeshje që gjatë 90 minutave do të ketë shumë episode. Ibrahimi është e vetmja mungesë që kemi dhe në një ndeshje me kaq ritëm të lartë, nuk mund të rrezikoj të luaj nga minuta e parë Fejzullahun. Ndaj Kukësit luan kush e meriton”, u shpreh trajneri i Partizanit.

Nëse deri pak javë më parë ishte e ndaluar të vendoseshin objektiva, tashmë tek Partizani duket se kanë idetë e qarta. Klevis Dalipi tregon objektivin që ka në këtë moment skuadra.

“Objektivi ynë tani është të shkojmë më lart dhe sigurisht që mbetet pjesëmarrja në Kupat e Europës. Ky është objektivi i momentit dhe do të luajmë për vendin e dytë””, deklaroi Dalipi.

Partizani ka përfituar në përfundim të dy sezoneve të mëparshme aktivizimin në Champions League pas pezullimit të Skënderbeut nga ana e UEFA-s. Skenari mund të përsëritet dhe për këtë një mendim në kokat e lojtarëve dhe stafit të Partizanit sigurisht që shkon.

“Nuk më vjen mirë ajo që ndodhi me Skënderbeun, por ne do të luftojmë për vendin e dytë. Nëse vjen pjesëmarrja në Champions League do të jetë një bonus për klubin”, tha Dalipi.

42-vjeçari nga Elbasani ka nisur tashmë karrierën si trajner i parë, pas një periudhe të gjatë në rolin e asistentit tek Partizani. Tek të kuqtë përflitet për emra trajnerësh për edicionin e ri, por presidenti Demi i ka dhënë votëbesimin Dalipit, që kërkon të rritet akoma më shumë së bashku me skuadrën.

“Më qetëson besimi që më dha presidenti, edhe pse kam qenë i qetë edhe më përpara. Lojtarët më ndjekin dhe besoj që kam me vete ekipin. Kemi punë për të bërë pasi duhet të shkojmë sa më afër perfeksionit”, deklaroi trajneri i të kuqve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here