Shorti i çerekfinaleve të Kupës së Mbretit në Spanjë, zbuloi rrugëtimin e pretendentëve të mbetur për trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin iberik.

Në zyrat e Federatës në Madrid, u zbulua se të paktën në letër, favoritët si Reali dhe Barcelona nuk do ta kenë të vështirë ndaj rivalëve që i rezervuan goglat. Barcelona ka në program një derbi ndaj Espanjolit. Skuadra blaugrana eliminoi me prepotencë Celta Vigon pas suksesit 5-0 në sfidën e kthimit dhe pritet që ti rezervojë të njëjtin fat edhe Espanjolit.

Ndërkohë do të jetë një derbi edhe çerekfinalja tjetër me protagonist Realin e Madridit. Formacioni i trajnerit Zinedin Zidane që kohët e fundit po përballet me kritika do të luajë ndaj Leganes, pasi më parë eliminoi Numancian. Si Barça ashtu dhe Real e kanë ndeshjen e kthimit në shtëpi.

Spikat ndërkohë si një përballje që rezervon shumë të papritura, përballja e dyfishtë mes Atletiko Madrid dhe Sevilla. Ndeshja e parë do të zhvillohet në stadiumin futuristik “Wanda Metropolitano” në kryeqytetin spanjoll, ndërsa kthimi në Andaluzi.

Ajo që kompleton panoramën e çerekfinaleve në Kupën e Mbretit, është Valencia-Alaves. Ndeshjet e para në Kupën e Mbretit janë programuar në 16, 17 dhe 18 janar, ndërsa kthimi mes 23 dhe 25 të po këtij muaji. Finalja e madhe e Kupës do të luhet në 21 Prill.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here