Manchester United bën të paimagjinueshmen “Etihad Stadium”, nga 2-0 fiton 2-3 me Manchester City-n në derbi dhe u shtyn festën e titullit rivalëve të përjetshëm. Një ndeshje me dy fytyra nga “Djajtë e Kuq”, që nuk e shënjestruan qoftë një herë portën në pjesën e parë, por shtangën vendasit në pjesën e dytë me tre gola, dy prej të cilëve mbajnë firmën e Pogbasë.

Skuadra e Jose Mourinhos thuasje nuk ekzistonte në fushë në pjesën e parë, teksa u ndëshkua me dy gola me autorë Vincent Kompany dhe Ilkay Gundogan. Asnjë goditje në portën e Ederson nga futbollistët e Mourinhos, por e pabesueshmja ishte rezervuar në fraksionin e dytë.

Në minutën e 54-t, Pogba, deri në atë momente në hije, shfrytëzoi më së miri shërbimin e Herreras, duke kthyer në lojë United, 1-2.

Vetëm dy minutë më vonë, francezi doli sërish në sulm dhe u gjend në vendin e duhur pas krosimit të Sanchez, për golin e 2-2.

Por Manchester United nuk do të ndalej me kaq. Në minutën e 69-të, Smolling e detyroi portierin Ederson ta nxirrte për herë të tretë topin nga rrjeta brenda 16 minutave lojë.

E pabesueshme sesi gjyqtari Atkinson nuk vërshëllen për 11-metërsh, pas ndërhyrjes së Young ndaj Agueros. Në minutën e fundit Manchester City u ndal nga shtylla, pa mundur që ta shmangte të paktën humbjen. Skuadra e Guardiolës duhet të presë ndeshjet e radhës për t’u shpallur matematikisht kampion në Premier League, ndërsa United blindon vendin e dytë, edhe pse me 15 pikë më pak.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here