Do të zhvillohen sonte, në orën 21:05, katër takimet e vajtjes së fazës çerekfinale të Europa Leagues, një kompeticion mjaft i lakmuar për faktin e thjeshtë se fituesja do të ketë të drejtën të marrë pjesë në Champions League sezonin e ardhshëm. Shorti i kësaj faze shmangu në njëfarë mënyrë përplasjet e mëdha, megjithatë të katër sfidat pritet të jenë mjaft të luftuara.

Arsenali, tashmë jashtë objektivave në Premier League, pasi e ka të pamundur ta arrijë zonën Champions, do të presë në “Emirates” CSKA-në e Moskës, duke qenë favorit absolut për të vijuar më tej. Trajneri Arsene Wenger, mjafti i kritikuar nga tifozët, që kërkojnë madje edhe largimin e tij, mund të shpëtojë sezonin me trofeun e Europa Leagues dhe ta përmbushë deri në fund kontratën që i skadon në 2019-ën.

Një tjetër favorite për të fituar trofeun, Atletico e Madridit, luan në “Wanda Metropolitano” derbin iberik me Sportingun e Lisbonës. “Los Colchoneros” me Simeonen në stol e kanë fituar këtë trofe në vitin 2012 dhe tashmë kërkojnë të përsëritin këtë sukses 6 vite më vonë. Sportingu i Lisbonës sheh mundësinë e vetme nëpërmjet Europa Leagues për të luajtur në Champions sezonin e ardhshëm, pasi në kampionatin portugez mbetet në vend të tretë me 5 pikë më pak se Porto.

Lazio, skuadra e vetme italiane në këtë kompeticion, do të presë në takimin e parë në “Olimpico” Salzburgun, ekipin surprizë që eliminoi Borussian e Dortmundit. Ndoshta shorti këtë radhë ishte me fat për bardhekaltrit, që do të tentojnë t’i shkojnë deri në fund kompeticionit. Senad Lulic mbetet mungesa e madhe për Simone Inzaghin, ndërsa janë në dyshim po për arsye dëmtimi Lukaku, Radu dhe Walace. Titullar i padiskutueshëm në portë Thomas Strakosha.

Takimi i katërt dhe i fundit do të jetë ai mes Leipzigut dhe Olimpique Marseille, një duel që mbart shumë enigma pasi është përplasja e parë mes tyre në kompeticionet euruopiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here