Briken Çalja shënoi një rezultat historik për Shqipërinë në një moment shumë të vështirë për peshëngritjen tonë. 28-vjeçari siguroi 3 medalje ari në Europianin e Bukureshtit, që është dhe arritja më e madhe në karrierën e tij. Në një intervistë për Top Channel Çalja tha se kishte përjetuar momente emocionuese si kurrë më parë.

“Këtë herë ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai momenti kur dëgjohej himni shqiptar më duket si i papërsëritshëm. Falë punës jam këtu ku ndodhem sot, stërvitjeve të rregullta. Të gjitha kushtet i kam plotësuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Çalja e përjashtoi mundësinë e daljes me doping dhe shprehu zhgënjimin për faktin se askush nga institucionet nuk e priti në Rinas.

“As edhe një medie, as edhe një zyrtar, absolutisht asnjë njeri nga Federata, sikurse edhe nga shteti. Edhe kjo, duke e ditur që Brikeni (unë) i kishte bërë dy teste antidoping. Ata i tremben dopingut, por unë jam i sigurt kur shkoj në kampionate të tilla. Jam 100% i sigurt që jam i pastër”.

Edhe briken Çalja është dënuar vite më parë për përdorim dopingu, por, sipas tij, kjo ka ndodhur për faj të shtetit dhe organizmave sportivë.

“Për shkak të një medikamenti, që nuk ishte për peshëngritje, por për bodybuilding. Janë dy gjëra të ndryshme, por unë nuk e dija faktikisht, ndaj dhe u dënova shumë kohë më parë. Këtu ishte faji i shtetit shqiptar dhe jo i Brikenit. Unë këtu i bëj të gjitha vetë, s’kam as fizioterapist, as mjek, asgjë. Edhe pse i bëjmë vetë të gjitha, në fund dalim po ne të këqinj”.

Aktivitetet e radhës së peshëngritjes janë Lojërat Mesdhetare dhe Botërori në Turkmenistan, teksa Briken Çalja premtoi se do të vijë me medalje edhe nga këto dy evenimente.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here