Misioni realizohet me sukses. Bayern Munich edhe pse ishte me një këmbë në çerekfinalet e Champions League pas fitores 5-0 në ndeshjen e parë ndaj Besiktasit, bëri detyrën edhe në sfidën e kthimit të zhvilluar në Stamboll duke zyrtarizuar në mënyrën më të mirën kalimin në fazën tjetër. Tjetër fitore për kampionët e Gjermanisë ndaj skuadrës turke këtë herë jo aq e thellë sa tre javë më parë por gjithsesi suksesi 1-3 në transfertë ishte një sinjal se skuadra e Jup Heynckes e ka potencialin për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni. Në stadiumin Vodafone Park, spanjolli Thiago Alcantara hapi serinë e golave në minutën e 18-të. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë ndërkohë që në fraksionin e dytë Bayerni shënoi edhe 2 herë të tjera. Në sekondat e para të pjesës së dytë Gonul e dërgoi topin në rrjetën e tij, megjithatë vendasit realizuan golin e nderit me brazilianin Vagner Love në të 59-ën. Fitoren e bavarezëve e vulosi sulmuesi i ardhur në fushë nga stoli Sandro Wagner pak minuta përpara fundit, me Bayernin që shpartalloi Besiktasin dhe me rezultat të përgjithshëm 8-1 preu biletën për në çerekfinalet e Champions League.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here