Telenovela Memushaj vijon ende, pasi nuk është mbyllur akoma kalimi i mesfushorit vlonjat në drejtim të Barit. Fantazisti i kombëtares kuqezi ka qenë në qendër të merkatos së puljezëve, madje në një moment të caktuar u duk se gjithçka ishte mbyllur, por në çastet e fundit drejtuesit e Beneventos bënë prapakthehu, duke ngrirë për momentin tratativën që gjithsesi mbetet ende në fuqi.

Gazetta dello Sport raporton se Bari ka marrë nga Foggia mbrojtësin brazilian Empereur, ndërkohë që pret një përgjigje përfundimtare për Ledian Memushajn deri më datën 20 Janar. Në këtë mënyrë drejtuesit e klubit barez kanë vendosur dhe limitin kohor për mbylljen e kësaj marrëveshjeje, ose më saktë për kthimin e një përgjigjeje përfundimtare.

Drejtuesit e Beneventos kanë kërkuar kohë duke parë që skuadra ka reaguar në javët e fundit me dy fitore radhazi dhe tashmë mbijetesa nuk shihet si diçka e pamundur, por për të arritur këtë duhet së pari të ruhet grupi aktual dhe me ndonjë përforcim më shumë qëndrimi në elitën e futbollit italian është më se i mundur.

Ndërkohë tek Bari e shohin Memushajn si njeriun e duhur për t’i dhënë më shumë fantazi mesfushës, për t’i dhënë çelësat e këtij reparti pikërisht dyshes kuqezi, pasi aty luan edhe Migjen Basha. Afrimi i Memushajt në Puglia është një kërkesë e vetë trajnerit Fabio Groso, por që duhet të presë ende për vendimin përfundimtar të drejtuesve të Beneventos, të cilët në javët e fundit kanë marrë përgjigjet e duhura nga fantazisti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here