Me titullin praktikisht të fituar, Barcelona vijon luftën për të realizuar një tjetër objektiv, të mbyllë sezonin pa humbje. Në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të, katalanët morën një barazim 2-2 në transfertën e vështirë ndaj Celta Vigos, fushë në të cilën Barça ka pësuar shpesh disfata të bujshme.

Dembele kaloi në avantazh skuadrën e Valverdes në minutën e 36, por në të 45-ën ishte Jonny, që çoi ekipet në dhomat e zhveshjes, në barazim 1-1. Katalanët kaluan edhe njëherë në avantazh me anë të Paco Alcacer në minutën e 64-t, ndërsa vetëm 7 minuta më vonë, Sergi Roberto u ndëshkua me karton të kuq dhe la skuadrën me 10 futbollistë.

Epërsinë numerike e shfrytëzoi mjaft mirë Celta, që gjeti golin e barazimit më anë të Aspas në minutën e 83-të dhe fiksoi shifrat finale 2-2. Barcelona vijon të jetë e shkëputur 12 pikë ndaj Atleticos së Madridit ,që e ndjek dhe titulli është shumë pranë, pasi kanë mbetur vetëm 5 takime për t’u luajtur.

Më herët Sevilla mori një barazim pa gola në transfertën e La Corunës, ndaj Deportivos, ndërsa aktualisht po luhet takimi mes Leganesit dhe Villarealit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here