Atletico e Madridit konfirmohet skuadra anti-Barcelona, pasi suksesi minimal ndaj Valencias e mban në vendin e dytë, por me një diferencë më të vogël ndaj “blaugranave” (9 pikë). Në një ndeshje kaq të rëndësishme trajneri Marcelino i Valencias nuk kishte në dispozicion futbollistë të rëndësishëm si Guedes apo Murillo, duke hedhur në sulm nga minuta e parë italianin Simone Zaza. Në krahun tjetër Diego Simeone hodhi në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, duke i besuar çelsat e sulmit Diego Costës dhe Antoine Griezmann, të mbështetur nga Carrasco dhe Correa. Pikërisht anësori argjentinas shënoi golin që vendosi fatet e sfidës në minutën e 59-të, i asistuar nga Koke. Me këtë sukses “Rojiblancos” janë tashmë 9 pikë të shkëputur nga Valencia e vendit të tretë dhe po kaq larg Barcelonës kryesuese, me të cilën do të përballen në “Camp Nou” për javën e 27-të.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here