Asnjë surprizë në dy sfidat që hapën javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Skënderbeu dhe Kukësi bënë detyrën pasi fituan respektivisht ndaj Laçit dhe Lushnjës me korçarët që ruajtën avantazhin prej 14 pikësh pikërisht ndaj verilindorëve që pozicionohen të dytët. E pati shumë të thjeshtë Skënderbeu sfidën ndaj Laçit, teksa në Korçë kurbinasit u ndëshkuan që në minutën e 4-t me Fidan Alitin që goditi saktë me kokë pas asisitit perfekt të Muzakës.

Ky ishte goli i parë për mbrojtësin kosovar me fanellën e Skënderbeut. Në minutën e 36-të Skënderbeu dyfishoi shifrat me njeriun e momentit Ali Sowe i cili dërgoi në rrjetë një top perfekt të marrë nga Bruno Dita, duke ia bërë më të thjeshta gjërat skuadrës së Ilir Dajës. Por Sowe nuk e ndal me kaq teksa pas dygolëshit ndaj Kukësit realizoi një tjetër dygolësh ndaj Laçit.

Në minutën e 56-të sulmuesi nga Gambia hipotekoi fitoren e Skënderbeut me golin e tij të 10-të sezonal në kampionat. Në të 84-ën kishte festë edhe për sulmuesin më të ri të korçarëve Blerim Krasniqi i cili i ardhur në fushë nga stoli shfrytëzoi një asist fantastik të Sabien Lilajt, duke realizuar golin e tij të parë në Superiore me Skënderbeun. Në Korçë gjithçka u mbyll me suksesin 4-0 të bardhekuqëve të cilët u ngjitën në kuotën e 50 pikëve në kampionat.

Pa Bakajn i cili do ta vazhdojë karrierën në Bjellorusi, Kukësi u rikthye te fitorja në kampionat në transfertën e Roza Haxhiut ndaj Lushnjës me shifrat 2-1. Golat u realizuan të gjithë në pjesën e parë në harkun e 5 minutave ku fillimisht ishin miqtë me Bujar Idrizin dhe Sindrit Gurin ndërsa më pas ngushtoi shifrat Mikel Canka.  Në pjesën e dytë Lushnja iu afrua golit të barazimit në disa raste por pa mundur ta gjejë atë, madje laguranat kishin pretendimet e tyre edhe ndaj vendimeve të gjyqtarit teksa në fund u ndëshkua me karton të kuq Endri Magani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here