Teuta është plotësisht e përfshirë në luftën për mbijetesë. Djemtë e detit në prag të rifillimit të kampionatit mbajnë vendin e 8-të, me pikë të barabarta me Vllazninë, që ndodhet në pozicionin e parafundit.

Durrsakët që nga fillimi i këtij muaji kanë nisur të kërkojnë përforcimet e duhura në merkato. Trajneri Stavri Nica ka përzgjedhur disa elementë që mund ta ndihmojnë skuadrën e tij të largohet nga zona e akullt dhe një ndër ta është Arsid Kruja. Shkodrani ka mbyllur gjithçka me Vllazninë dhe ka nënshkruar marrëveshjen me Teutën.

Nica i njeh mjaft mirë aftësitë e 24-vjeçarit, duke qenë se e ka pasur nën urdhrat e tij gjatë sezonit 2015-2016, kur të dy ishin pjesë e Laçit. Kruja u prezantua në futbollin shqiptar si një talent me vlera absolute, por pas një pjese të parë të sezonit të zhvilluar në nivele të larta me ngjyrat e Vllaznisë, në 2014-ën, humbi disi rrugën në momentin kur vendosi të nënshkruante në Arabinë Saudite.

Në gadishullin Arabik nuk luajti asnjë ndeshje, duke u huazuar tek Flamurtari dhe aty nisi tatëpjeta e karrierës së shkodranit. Në këtë edicion tek Vllaznia, ai nuk ishte pjesë e preferencave as të Cungut fillimisht dhe as të Gjokës më pas. Tashmë Teuta duket si mundësia e fundit që Arsid Kruja të rimarrë epitetin e një lojtari me cilësi të admirueshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here