Në ‘Etihad Stadium’ të Manchesterit, Italia rikthehet të luajë, që pas eliminimit në Play Off nga Suedia në Nëntor të vitit të kaluar. Gjithsesi, në miqësoren e luksit përballë Argjentinës, jo çdo gjë ka shkuar siç duhet për trajnerin e përkohshëm Gigi Di Biagio, pasi skuadra e tij rezistoi vetëm 75 minuta, për t’u mposhtur më pas me rezultatin 2-0.

Pjesa e parë u dominua nga Argjentina, që edhe pse pa Messin u tregua më e saktë në qarkullimin e topit, ndërsa arriti të rrezikojë disa herë edhe portën e Buffonit.

Italia u zgjua në 45-minutëshin e dytë dhe u bë ndjeshëm më kërkuese, teksa sfida u bë vërtetë interesante, pavarësisht zëvendësimeve të kryera nga të dy trajnerët.

Takimi u zhbllokua vetëm 15 minuta larg fundit, kur zëvendësuesi i Lionel Messit në ndeshjen e sotme, Lo Celso dha një asist për ish fantazistin e Interit, Ever Banega dhe ky i fundit mposhti portierin Buffon, duke dërguar topin në rrjetë.

Vetëm 10 minuta më pas, veterani i portës së Italisë, Gigi Buffon u detyrua të nxjerrë për herë të dytë topin nga rrjeta, pasi Lanzini shënoi një gol mjaft të bukur. Pas një kundërsulmi, sulmuesi anësor i West Hamit mori një pasim nga Gonzalo Higuain dhe gjuajti nga hyrja e zonës, duke e dërguar topin në trekëndëshin e portës dhe vulosur rezultatin 2-0.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here