Tre tribuna thuajse të përfunduara dhe vëmendja e përqendruar në pjesën e tribunës kryesore. Punimet në Arenën Kombëtare vazhdojnë me intensitet të lart, me impiantin më modern në Shqipëri dhe rajon që dita-ditës po merr formën e tij.

Tribuna karshi është pothuajse drejt përfundimit, sa i takon konstruksionit të betonit dhe atij metalik, me punimet kanë arritur deri në katin e fundit të stadiumit, ku ka mbetur vetëm një pjesë për tu plotësuar.

Në tribunën jugore mbrapa portave është për tu plotësuar vetëm një sektor ku do të jetë kulla e kontrollit, e cila do të ketë lartësinë e impiantit. Punimet kanë ecur me rritme të larta edhe në tribunën veriore mbrapa portave, ku skelat janë ngritur thuajse deri në fund.

Në disa vende të kësaj tribune, në pjesën e poshtme që do të shërbejë për rrethimin e fushës po testohet vendosja e xhamave, për të krijuar idenë e një ndarje minimale me terrenin e lojës, por edhe për të mos penalizuar shikimin e ulëseve që ndodhen në pozicionet më pranë fushës.

Në qendër të stadiumit, aty ku do të jetë terreni i lojës binte në sy prezenca e një strukture të madhe hekuri me ngjyrë gri. Bëhet fjalë për platformën që do të shërbejë për mbulimin e stadiumit Arena Kombëtare, e cila do të vendoset në vendin e saj sapo të ketë përfunduar ngritja e plot e tribunave.

Impianti me kapacitet 22 mijë vendësh pritet të përfundojë plotësisht gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, ndërsa është sërish një prej kandidatëve për zhvillimin e finales së Superkupës së Europës në vitin 2020.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here