Në prag të ndeshjes me Beneventon në kampionat, trajneri i Juventusit duket më i qetë për të analizuar edhe humbjen befasuese ndaj Realit të Madridit. Allegri duket se nuk i ka humbur shpresat për kualifikim, teksa thotë se bardhezinjtë do të provojnë gjithçka në ‘Santiago Bernabeu’.

“Fillimisht jemi të përqendruar te Beneventoja, pasi duhet të fitojmë, për të mos i dhënë mundësi Napolit të rikthehet në garë për titullin. Pastaj do të shkojmë në ‘Santiago Bernabeu’ për të bërë lojën tonë, me shpresën se mund t’ia dalim. Jemi luanë të plagosur, por jo të ngordhur”, deklaroi Allegri.
Më pas trajneri i bardhezinjve u ndal edhe te gjendja e lojtarëve të skuadrës së tij, teksa vlerësoi edhe paraqitjen e Dybalës në sfidën ndaj Realit.

“Bentancour është një lojtar i të ardhmes së Juventusit, ndërsa Dybala më pëlqeu shumë për mënyrën se si luajti ndaj madrilenëve. Higuain dhe Buffon nuk do të luajnë nesër, ndërsa Mandzukiç dhe Cuadrado janë të gatshëm”, u shpreh trajneri i Juventusit.

Menjëherë pas humbjes me Realin, nuk kanë munguar as zërat për një ndërprerje të mundshme të kontratës së Allegrit me Juventusin, ndërsa kanë filluar të qarkullojnë edhe emrat për ta zëvendësuar atë.

“Jam këtu prej 3 sezonesh dhe gjatë kësaj kohe kam parë të na largohen 9 titullarë. Skuadra është rinovuar dhe rinuar çdo verë, ndërsa edhe këtë vit do të na duhet të bëjmë një merkato mjaft të mirë. E kam menduar largimin pas finales së Cardiffit, por them se një marrëdhënie duhet të përfundojë, kur të përfundojnë stimujt. Për momentin jam i përqendruar te faza finale e sezonit dhe nuk mund të flas për të ardhmen”, deklaroi Allegri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here