Masimiliano Allegri doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të transfertës ndaj Spalit, të vlefshme për javën e 29 të Serisë A. E pamundur t’i shpëtonte pyetjeve mbi shortin e Championsit, që vendosi Juventusin përballë Realit të Madridit, por tekniku bardhezi preferoi të anashkalojë komentin.

“Do të jenë dy sfida shumë interesante, por më parë duhet të mendojmë të mposhtim Spalin. Është shumë e rëndësishme që nesër të marrim 3 pikët dhe të shkojmë +7 nga Napoli ndjekës, në mënyrë që të jemi më të qetë në vijim”, tha Allegri.

Në mungesë të Benatiasë së pezulluar, Allegri nuk preferoi të japë shumë detaje mbi zëvendësuesin, teksa konfirmoi prezencën e Buffonit dhe Higuainit.

“Kemi grumbulluar Howedesin, ndërsa në vend të Benatiasë mund të luajë Barzagli ose Rugani, ose që të dy. E sigurt është që në portë do të luajë Buffon. Higuain është mirë dhe do të luajë nga fillimi, ndërsa Mario Mandzukiç ka nevojë të çlodhet pak, sepse ka luajtur shumë dhe ka shpenzuar shumë energji”, deklaroi trajneri i Juventusit.

Allegri tregon se si ia del të motivojë skuadrën, edhe përballë kundërshtarëve inferior, ndërsa thekson edhe njëherë se kampionatin është ende i hapur.

“Kam një skuadër me profesionistë, të cilët e dinë mirë se 3-pikëshi vlen njësoj si ndaj Spalit, ashtu edhe ndaj Napolit. Lojtarët e mi e kanë të qartë se titulli fitohet duke marrë maksimumin ndaj skuadrave të vogla, ndaj edhe nuk ka nevojë për shumë motivim. Sa i përket kampionatit, është gjithçka ende e hapur, pasi Napoli luan bukur futboll dhe merr pikë. Janë ende edhe 10 ndeshje për t’u luajtur”, mbylli Allegri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here