Asnjë dilemë për titullin në Gjermani, teksa Bundesliga po bëhet gjithnjë e më e mërzitshme edhe këtë sezon. Kjo ndodh në një kohë që në Evropë kampionatet janë të mbushura kryesisht me rivalitet. Problemi më i madh: dominimi i Bayern Munchen, që ka mundësinë të zyrtarizojë më datën 4 mars (në javën e 25-të të kampionatit) titullin kampion  për të thyer një tjetër rekord (do të ishte titulli i fituar më shpejt në histori). I gjashti radhazi me një diferencë të madhe pikësh me ndjekësit. Për këtë arsye tifozët gjermanë po pyesin veten: si mund ta shpëtojnë futbollin?

Gazeta gjermane “BILD” ka hapur një debat për të grumbulluar sa më shumë sugjerime se si kampionati mund të bëhet më interesant. Një ide: fazë play-off për të shpallur ekipin kampion! Një mundësi: katër skuadrat më të mira luajnë për trofeun në një gjysmëfinale dhe finale. Shanset për të thyer Bayern do të ishin më të mëdha se në 34 javë.

Ish-futbollisti i Bayern, Stefan Effenberg kërkon që të ndërhyhet për të ndryshuar situatën: “Jam i mendimit se duhet bërë diçka. Duhet të rikthejmë rivalitetin në stadiume dhe kështu që do të tërheqim më shumë tifozët te futbolli”. “BILD” i ka pyetur disa prej aktorëve kryesore të Bundesliga-s nëse nevojitet një fazë play-off për titullin?

Drejtori sportiv i Leipzig, Ralf Rangnick: “Bundesliga ka qenë një histori suksesi qysh nga viti 1963 dhe ajo nuk duhet tronditur”.

Sulmuesi i Hertha Berlin, Salomon Kalou: “Nuk mendoj se kjo do ta bënte më shumë tërheqëse kampionatin. Edhe me një faze play-off  Bayern do ta fitonte titullin”.

Trajneri i Augsburg, Manuel Baum: “Mendoj se niveli i kampionatit është mjaftueshëm spektakolar. Përtej gjithçkaje, nuk mund të thuash se skuadra e vendit të dytë fiton ndaj vendit të fundit”.

Portieri i Gladbach, Yann Sommer: “Qartësisht është detyra jonë që t’ia bëjmë Bayern-it më të vështirë jetën. Jemi në një sfidë të vazhdueshme!”

Drejtori sportiv i Koln, Armin Veh: “Unë e refuzoj idenë e fazës play-off për Bundesligën në mënyrë kategorike. Modeli aktual është i suksesshëm dhe interesant”.

Ish-futbollisti i Leverkusen, Simon Rolfes: “Do të ishte e pandershme për një skuadër që pas 34 ndeshjesh renditet në vendin e parë dhe të detyrohet të luajë për titullin në një ndeshje play-off. Mbase mudn të qëllojë një ditë e keqe dhe u shkon i gjithë mundi një viti kot”.

Trajneri i Bayern, Jupp Heynckes: “Skuadrat e tjera duhet të përmirësohen më shumë. Mendoj se duhen sjellë ide më të ndryshme nëse flasim për reforma”.”

I vetëm avokat i fazës play-off vjen nga Augsburg. Mbrojtësi Martin Hinteregger shprehet: “Më duket interesante ideja e një faze play-off për titullin”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here