3 fitore në 4 ndeshje në krye të Partizanit, 10 pikë nga 12 të mundshmet, statistikat konfirmojnë vlerat e Dalipit në timonin e të kuqve. Trajneri ka ditur t’i japë skuadrës shkundjen e duhur në aspektin psikologjik, me Partizanin që ka kapur zonën europiane dhe tani kërcënon Kukësin për vendin e dytë.

Natyrisht që trajneri ka patur edhe faktorë të rëndësishëm në krahun e tij, me të drejtë flitet shumë për rikthimin e Çanit, kontributin në ndeshjen e fundit të Cardosos, apo dhe sinjalet pozitive të Abdurahimit, e megjithatë nëse u hedh një sy shifrave, çelësi i suksesit të Partizanit me trajnerin e ri është mbrojtja. Partizani ende nuk ka pësuar gol me Dalipin në stol, plot 4 ndeshje ku Alban Hoxhës nuk i është dashur asnjëherë të nxjerrë topin nga rrjeta, dhe ky është një faktor pa dyshim vendimtar.

Përgjatë gjithë sezonit pësimi i golit ka qenë një problem në kampin e kuq, ndërkohë që 360 minutat pa pësuar e afrojnë mbrojtjen e 15-herë kampionëve me më të mirët e kampionatit. Partizani në total ka pësuar vetëm një gol më shumë se Skënderbeu, ndërkohë që ka lënë pas në këtë aspekt Flamurtarin. Natyrisht që meritat i shkojnë jo vetëm repartit të tërhequr, por gjithë ekipit, me Partizanin që ka gjetur optimizmin e duhur për fazën e fundit të sezonit.

Përballja e radhës do të jetë një betejë direkte për të pronësuar vendin e tretë me Laçin, një tjetër provë për t’u kaluar nga Partizani i Dalipit, me të kuqtë që nuk kanë fituar asnjë nga përballjet me kurbinasit këtë sezon.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here