
Jose Maria Gay, ekspert financiar, beson se progresi i kampionatit spanjoll, i njohur ndryshe “La Liga”, ka një stanjacion, së bashku me “Premier League”, ndërsa shtoi se Franca dhe Gjermania janë modelet e kursimit në futboll.
Ekonomisti i njohur ka shprehur shqetësimin e tij mbi gjendjen e futbollit spanjoll, duke përmbyllur kësisoji raportin e tij vjetor mbi zhvillimet financiare në pesë ligat kryesore të Evropës. Ai mendon se Barcelona dhe Real Madridi janë dy ekipet e vetme të La Liga-s, që po bëjnë hapa përpara, ndërsa shton se ekipet e tjera nuk kanë bërë asnjë progres në pesë vitet e fundit.
“La Liga nuk është duke ecur përpara. Barcelona dhe Real Madridi janë dy klubet e vetme që kanë rritje. Të gjitha ekipet e tjera janë ende në të njëjtën situatë si pesë vjet më parë, – u tha Gay gazetarëve. – Futbolli spanjoll po vdes, nëse më pyesni mua. Klubet në Spanjë, përjashto dy gjigandët madrilenë e katalanas, janë pesë vite prapa ligave të tjera të mëdha të Evropës. Gjendja e dobët e stadiumeve është arsyeja kryesore.”
Ekonomisti i njohur pastaj vazhdoi të shprehë mendimin e tij se modeli financiar i “Premier League” nuk ka asnjë të ardhme, ndërsa sugjeroi se Gjermania dhe Franca janë shembull për t’u ndjekur: “Modeli i Premier Ligës është i falimentuar nga pikëpamja financiare.
Ai është i bazuar në pronësinë e klubit, ndërsa humbjet janë financuar përmes kompanive që i posedojnë.
Futbolli është një reflektim i vërtetë i ekonomisë së një vendi, ndërsa Franca dhe Gjermania janë modelet kryesore në këtë moment, që duhen ndjekur.”
P.Shatraj / lajmesport.com cfm